• e hënë, 23 dhjetor 2024

Raporti i KE-së: Nuk ka progres në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe progres të kufizuar në fuqizimin e pavarësisë gjyqësore

Raporti i KE-së: Nuk ka progres në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe progres të kufizuar në fuqizimin e pavarësisë gjyqësore

Shkup, 31 tetor 2024 (MIA) – Në përgjithësi vendi ka progres të caktuar në fuqizimin e pavarësisë gjyqësore dhe përmirësimin e kornizës juridike për mbrojtje të të drejtave themelore. Niveli i gatishmërisë për zbatimin e legjislacionit evropian dhe standardeve evropiane nga Kapitulli 23 – gjyqësor dhe të drejta themelore është ndërmjet i caktuar dhe mesatar, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit në vitin 2024. 

Paralajmërimet për qeverinë e re për “shpërbërjen” e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, KE-ja në Raport i vlerëson me shqetësim serioz, sepse do ta minonin pavarësinë e gjyqësorit dhe rekomandon fuqizim të Këshillit Gjyqësor përmes shqyrtimit të kornizës ligjvënëse dhe funksionalitetit të saj gjithëpërfshirës në përputhje me rekomandimet e Misionit Vlerësues. 

Maqedonia e Veriut nuk ka arritur progres në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe korrupsioni mbetet i përhapur në shumë sfera dhe është çështje e shqetësimit serioz. Që të përmirësohen performancat e KSHPK-së, Prokurorisë Publike, qendrat hetuese dhe njësitë për zbatimin e ligjit, KE-ja vlerëson se duhet të marrin burime njerëzore dhe mbështetje financiare shtesë. 

Ndryshimet e Kodit Penal nga shtatori i vitit 2023, KE-ja vlerëson se e dobësuan kornizën ligjore duke ndikuar negativisht në ndjekjen e korrupsionit, duke porositur se vendi vitin e ardhshëm duhet të miratojë Kod të ri Penal në përputhje me të drejtën e BE-së dhe standardet ndërkombëtare. 

Në Raport vlerësohet se situata e përgjithshme në burgje mbetet e tmerrshme dhe se shteti vitin e ardhshëm veçanërisht duhet të përballet me kushtet e tmerrshme në burgje dhe të vazhdojë me përpjekjet për promovimin e dënimeve alternative me burg dhe zbatimin e rekomandimeve adekuate për kushtet në paraburgim. 

Funksionimi i gjyqësorit 

Sistemi gjyqësor i Maqedonisë së Veriut ka nivel të caktuar dhe mesatar të gatishmërisë dhe është arritur progres i caktuar në funksionimin e gjyqësorit, tregon Raporti për progresin e vendit për vitin 2024. 

Theksohet se vendi miratoi Strategji të re për reforma në gjyqësor (2024-2028) dhe udhërrëfyes për Kapitullin 23, si dhe se është filluar me zbatimin e rekomandimeve të Misionit Vlerësues për punën e Këshillit Gjyqësor nga viti 2023. 

“Paralajmërimet e Qeverisë së re për ‘shpërbërjen’ e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial janë shqetësim serioz, sepse veprimet e tilla do ta minonin pavarësinë e gjyqësorit. Deficiti i rritur në burime njerëzore në gjyqësor shkakton shqetësim për ndikimin ndaj cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë”, vlerëson KE në Raport. 

Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe ende janë të vlefshme në masë të madhe. Sipas KE-së, vendi në vitin e ardhshëm duhet: 

→ të miratojë Ligj të ri për procedurë gjyqësore, sipas standardeve evropiane dhe të fillojë zbatimin e Strategjisë së re të reformave në gjyqësor;

→ ta fuqizojë Këshilin Gjyqësor përmes shqyrtimit të kornizës legjislative dhe funksionalitetit të saj gjithëpërfshirës që ta përmirësojë transparencën dhe pavarësinë, në përputhje me rekomandimet e Misionit Vlerësues nga viti 2023 dhe të përshpejtohet zbatimi i strategjive për burime njerëzore për gjyqësorin dhe prokurorinë;

→ të sigurohet se sistemi AKMIS për menaxhimin me rastet gjyqësore është plotësisht funksional dhe kompatibil me shkallën e kompleksitetit të lëndëve gjyqësore dhe metodës për vlerësimin e gjykatësve dhe kryetarëve të gjykatave. 

Lufta kundër korrupsionit 

Maqedonia e Veriut ka arritur progres në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe ka ndërmjet nivelit të caktuar dhe mesatar të përgatitjes. Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë sfera dhe është çështje e shqetësimit serioz. Qeveria aktuale deklaroi se lufta kundër korrupsionit është prioritet. 

Korniza institucionale për luftë kundër korrupsionit është vendosur dhe është e kënaqshme në kuptim të masave parandaluese, megjithatë KE-ja vlerëson se është i nevojshëm përmirësim në zbatimin e ligjit. 

Përbërja e re e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) e filloi mandatin e tij më 8 shkurt të këtij viti dhe është kyçe të veprojë me nivelin më të lartë të profesionalizimit, integritetit dhe pavarësisë. 

“Duhet të vazhdojë të ofrojë në mënyrë proaktive udhëzime për zbatimin e politikave për parandalimin e korrupsionit dhe të punojë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Rekomandimet e tij duhet të ndiqen në mënyrë efektive. Për të përmirësuar performancën e KSHPK-së, Prokuroria Publike, qendrat hetimore dhe njësitë e zbatimit të ligjit duhet të marrin burime njerëzore shtesë dhe mbështetje financiare. Janë miratuar dokumente strategjike dhe është miratuar korniza ligjore për luftën kundër korrupsionit, por ajo duhet të përmirësohet, si në aspektin e masave parandaluese ashtu edhe në aspektin e zbatimit të ligjit”, thuhet në Raportin e KE-së.

Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk janë zbatuar në tërësi dhe ende janë të vlefshme. Sipas KE-së, vendi në vitin e ardhshëm veçanërisht duhet: 

→ të miratojë një Kod të ri Penal në përputhje me ligjin e BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Të përmirësojë dosjen e tij në rastet e korrupsionit të lartë – me hetime proaktive në kohë, profesionale dhe transparente, ndjekje penale, vendime përfundimtare dhe kthim të mjeteve, duke përfshirë konfiskimin e aseteve kriminale, konfiskimin e bazuar në vlerë, konfiskimin e zgjatur dhe konfiskimin e palës së tretë;

→ të përmirësohet zbatimi i strategjisë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave dhe rekomandimeve të GREKO, veçanërisht për sistemin e sanksioneve për shkeljen e konfliktit të interesave, integritetit dhe rregullave kundër korrupsionit; 

→ të ndajë burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare, duke përfshirë ekspertë financiarë, në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për të siguruar llogaridhënie efektive në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë; dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për të përmirësuar verifikimin e fletëve të anketimit dhe mbikëqyrjen e financimit të fushatës zgjedhore.

Të drejtat themelore 

Korniza ligjore për mbrojtjen e të drejtave themelore është harmonizuar pjesërisht me legjislacionin evropian dhe standardet evropiane dhe KE-ja në Raport vlerëson se vendi vazhdon t’i përmbushë detyrimet e tij të përgjithshme nga sfera e të drejtave themelore, por legjislacioni duhet të zbatohet në mënyrë sistematike. 

“Në nëntor të vitit 2023, Kuvendi emëroi Shoqatën e Juristëve të Rinj të Maqedonisë dhe Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut që të shërbejnë si mekanizëm për kontrollin civil në zyrën e Avokatit të Popullit. Kuvendi zgjodhi anëtarët e rinj në Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe plotësoi vendet e zbrazëta. Asnjë progres nuk është bërë në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale. Situata e përgjithshme në burgje mbetet e rëndë, megjithëse infrastruktura është rinovuar dhe përmirësuar në disa objekte të burgjeve”, thuhet në Raportin e KE-së.

Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë adresuar vetëm pjesërisht dhe për këtë mbeten të vlefshme. Sipas KE-së vendi në vitin e ardhshëm duhet veçanërisht: 

→ të përballet me kushtet e tmerrshme në burgje dhe për të vazhduar përpjekjet për promovimin e dënimeve alternative me burgim dhe zbatimin e rekomandimeve përkatëse për kushtet e paraburgimit të bëra nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, në veçanti Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose dënimit Çnjerëzor ose Degradues;

→ të ndajë burime të nevojshme për Zyrën e Avokatit të Popullit dhe për Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi që tu mundësohet që t’i plotësojnë mandatet e tyre; 

→ të sigurojë mbështetje adekuate për kategoritë e ndjeshme të fëmijëve, veçanërisht të fëmijëve viktima të dhunës, fëmijëve romë dhe fëmijëve me pengesa në zhvillim. 

Komisioni Evropian shpalli dje “Pakon e Zgjerimit” për vitin 2024, i cili përfshin edhe Raport për progresin e vendit në rrugën evropiane. Kopjet e Raportit, shefi i Delegacionit të BE-së në Shkup, ambasadori evropian Mihalis Rokas dje pasdite ua dorëzoi presidentes Gordana Siljanovska Davkova, kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili shoqërohej nga ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, ndërsa sot një kopje duhet t'ia dorëzojë kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR