Raporti i BB: Deri te të ardhura më të larta me arsim cilësor, konkurrueshmëri dhe efikasitet energjetik
- Plani i Qeverisë për të rritur të ardhurat për kokë banori në 10.000 dollarë do të varet nga shkalla e rritjes, ndërsa për të ardhurat më të larta duhet të punohet në arsim cilësor, mjedis konkurrues dhe efikasitet më të lart energjetik, vlerësoi sot Ivaillo Izvorski, ekonomist kryesor i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.
- Post By Lindita Sulejmani
- 20:15, 7 maj, 2025

Shkup, 7 maj 2025 (mia) - Plani i Qeverisë për të rritur të ardhurat për kokë banori në 10.000 dollarë do të varet nga shkalla e rritjes, ndërsa për të ardhurat më të larta duhet të punohet në arsim cilësor, mjedis konkurrues dhe efikasitet më të lart energjetik, vlerësoi sot Ivaillo Izvorski, ekonomist kryesor i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.
"Varet, megjithatë, nga norma e rritjes, nëse norma e rritjes është shumë e lartë, afërsisht 10 për qind, atëherë PBB-ja dyfishohet për shtatë vjet, kështu që 8.000 – 9.000 eurot e tanishëm mund të arrijnë në 17.000, e deri në 10.000 mund të arrihet për një periudhë shumë më të shkurtër kohore dhe e gjithë kjo do të varet nga norma e rritjes", tha Izvorski në pyetjen e gazetarëve para prezantimit të Raportit të Bankës Botërore "Lartësi më të mëdha, Rritje drejt të ardhurave të larta në Evropë dhe Azinë Qendrore" në Shkup.
I pyetur se për sa vjet qytetarët maqedonas do të arrinin mesataren e BE-së në të ardhurat për kokë banori, ai bëri të ditur se kjo varet nga shkalla e rritjes së produktivitetit.
"Nëse ajo normë e rritjes është e barabartë me atë që ishte në fillim të viteve 2000, mund të jetë shumë shpejtë. Për shembull, nëse marrim 36.000 për kokë banori në Evropën Perëndimore dhe Bashkimin Evropian dhe 8,000 deri në 9.000 PBB për kokë banori këtu, do të duhet rritje deri në katër herë për të arritur nivel të njëjtë dhe nëse kemi normë më të shpejtë të rritjes atëherë 30 deri në 40 vjet, e nëse kemi normë më të ngadaltë të rritjes si në pesë deri në gjashtë vitet e fundit atëherë mund të jetë 60 deri në 70 vjet", tha Izvorski.
Sipas tij, shteti me të ardhura mesatare prej rreth 8.000 deri në 9.000 euro për kokë banori, për të arritur statusin e vendit me të ardhura të larta, duhet të bëjë disa gjëra, ndërsa e para është cilësi shumë më e lartë e arsimit.
"Ashtu siç rritet niveli i të ardhurave, nevojiten njerëz me shkathtësi më të mira, novatorizëm më i madh, sipërmarrësi, kështu që arsimi më cilësor për të gjitha vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore është imperativ. Në vend të kësaj, ajo që mund të vërejmë kur shohim arsimin është se në vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore, tre deri në katër vjet më pak shpenzohen në arsim sesa në vendet e Azisë Lindore ose tre vjet më pak sesa në botën perëndimore, kështu që taksapaguesit paguajnë për arsimin prej 13 vjetësh, por marrin tre deri në katër vjet më pak", tha Izvorski.
Gjëja e dytë, shtoi ai, është mjedisi afarist, respektivisht mjedisi konkurrues i domosdoshëm për zhvillimin dhe punën e bizneseve dhe kompanive. Në këto vende, duke përfshirë vendet e
Ballkanit Perëndimor, konkurrenca nuk është shumë e mirë. Prandaj, kompanitë e reja kur hyjnë në treg dhe fillojnë të bëjnë biznes nuk mund të rriten shumë dhe shpejt në krahasim me, të themi, SHBA-në ose Gjermaninë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për mungesë të mjeteve të mjaftueshme, burimeve të tjera, mungesë të stafit të mjaftueshëm cilësor ose novatorizëm, një mjedis konkurrues që do t'i shtynte ata përpara, bëri të ditur ekonomisti i BB-së.
Tema e tretë që theksohet në Raportin e BB-së është përdorimi i energjisë, rrespektivisht arritja e efikasitetit më të madh energjetik.
"Në vendet e këtij rajoni, përdoret shumë më pak energji për individ sesa në Evropën Perëndimore. Megjithatë, përkundër faktit që përdoret shumë më pak energji për kokë banori, përdoret shumë më shumë energji për njësi të PBB-së. Ju e shihni se çfarë kontradikte është kjo, megjithëse përdorim më pak energji për kokë banori, përdoret tre herë më shumë energji për njësi të PBB-së sesa në vendet e Evropës Perëndimore dhe Bashkimit Evropian. Dhe nëse kjo tejkalohet dhe arrihet efikasitet më i madh energjetik, kjo do të çojë në përfitim më të madh për subjektet afariste që punojnë, kosto më të ulëta për qytetarët dhe më pak subvencione sepse shumë vende u japin subvencione prodhuesve energjetik kështu që në këtë rast do të jepnin më pak", tha Izvorski.
Kryeministri Hristijan Mickoski gjatë fundjavës gjatë paralajmërimit të një investimi të ri përsëriti se një nga qëllimet kryesore të Qeverisë ishte që PBB-ja nominale të ishte mbi 20 miliardë dollarë ose 10.500 dollarë për kokë banori, si dhe ulje të borxhit publik dhe shtetëror nën 50, përkatësisht 40 për qind.
“Vitin e kaluar e përfunduam me rekord historik kur bëhet fjalë për investimet e huaja, një miliard e 255 milionë euro. Vetëm në tremujorin e fundit, është më shumë se 400 milionë euro. Si do të jetë këtë vit, presim të dhënat nga tremujori i parë. Shpresoj se do të jetë po aq i suksesshëm. Mund të paralajmëroj se për një ose dy javë nga sot do të fillojmë me investim të ri prej disa dhjetëra milionë euro dhe më shumë se 200 të punësuar, i cili do të marrë pjesë konsiderueshëm në PBB-në", tha kryeministri Mickoski. ls/
Foto: Printskrin