• e diel, 22 dhjetor 2024

Rama nga Islanda: Asambleja e Këshillit të Evropës të heqë njollën e trafikut të organeve nga Shqipëria dhe UÇK-ja

Rama nga Islanda: Asambleja e Këshillit të Evropës të heqë njollën e trafikut të organeve nga Shqipëria dhe UÇK-ja

Tiranë, 17 maj 2023 (MIA) - Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, duke folur në sesionin "Të bashkuar rreth Evropës" në Samitin e Liderëve të Këshillit të Evropës të mbajtur në Islandë, tha se Asambleja e Këshillit të Evropës duhet të përgatisë një raport të ri dhe të heqë njollën e vendosur ndaj Shqipërisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për trafik organesh. Thaçi po gjykohet në bazë të një raporti të KE-së të sponsorizuar nga Putini, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve ATA.

Ai shtoi se “si shqiptar e kam të pamundur të shmang të bëj paralele mes Ukrainës dhe presidentit Zelenski dhe Kosovës dhe presidentit Thaçi”.

"Sot në këtë samit të Këshillit të Evropës nuk mund të rri pa kujtuar se padrejtësia ndaj luftës çlirimtare të Kosovës dhe liderit të saj Hashim Thaçi ka nisur pikërisht në Këshillin e Evropës nën ndikimin dashakeq të ish-anëtarit të këtij Këshilli në atë kohë Federata Ruse. Presidenti i Kosovës, ose Xhorxh Uashingtoni i Kosovës  siç e quajti Xho Bajden  tani po gjykohet nga një gjykatë speciale e krijuar nga bota demokratike, por bazuar në një raport të Këshillit të vitit 2019, i cili u sponsorizua në mënyrë djallëzore nga përfaqësuesit e Vladimir Putinit në Asamblenë e Këshillit të Evropës", tha Rama.

Sipas tij, akuzat krejtësisht të pabaza për trafikim të organeve njerëzore janë ngritur si “pika e nisjes së fushatës kriminale për shpifjen e Shqipërisë dhe Kosovës”.

Rama u shpreh se kur dëgjoi propagandën e Kremlinit të flasë për trafikimin e organeve njerëzore nga neonazistët në Donbas, iu duk sikur pa presidentin Zelenski 10 vjet më vonë, gjykuar nga një gjykatë e veçantë ngritur mbi të njëjtat akuza absurde.

"Do të isha fajtor, – vijoi kryeministri, – po të mbetesha i heshtur e të mos flisja sot këtu e të thosha sa vijon. Që Asambleja e Këshillit të Evropës ka detyrimin moral të korrigjojë çdo gabim dhe në këtë rast duhet t’i hapë rrugën tërheqjes mbrapsht të raportit që në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë për trafikimin e dyshuar të organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. Sipas tij, “të refuzosh të përballesh me të vërtetën sot, do ishte më keq se sa të bëhet ky gabim i rëndë 12 vjet më parë ku shumë votuan me sy mbyllur këtë raport të turpshëm në mirëbesim”. Sigurisht, vijoi Rama, “sot situata ka ndryshuar”.

Kryeministri u shpreh se “Shqipëria kurrë nuk ka pasur iluzione për natyrën e regjimit të Moskës dhe marrëdhënia jonë me Moskën ka qenë joekzistuese qysh prej vdekjes se Josif Visarionoviç Stalin”.

Rama theksoi se “çdo gjë të vogël që kemi bërë për Ukrainën e kemi bërë me mirënjohjen më të thellë ndaj qëndresës ukrainase”.

"Qysh prej fillimit të luftës popullariteti i Vladimir Putinit është luhatur në Shqipëri nga 0.7 % në 1.2 %. Shqipëria është mjaft e vogël për të ndikuar fatet e një lufte kaq vendimtare për të ardhmen e Evropës dhe të botës, por çdo gjë të vogël që kemi bërë për Ukrainën e kemi bërë me mirënjohjen më të thellë ndaj qëndresës ukrainase. Kjo është arsyeja pse gjëja më e bukur që ne shqiptarët do të marrin nga ky samit, kaq i mirorganizuar nga mikpritësit tanë islandezë”, shtoi Rama.

Kryeministri tha se “duhet të falënderojmë Ukrainën për të atë që po bën për të gjithë ne e për Evropën”. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR