• e hënë, 23 dhjetor 2024

Rama mohon se ka bërë pazar me “non grata” për normalizimin e punës në Parlament

Rama mohon se ka bërë pazar me “non grata” për normalizimin e punës në Parlament

Tiranë, 13 mars 2024 (MIA)- Kryeministri Edi Rama ka theksuar prerë se nuk ka dhe nuk do të ketë një pakt me ish kryeministrin Sali Berisha, një person “non grata”, duke i paraqitur bisedimet me Rithemelimin për ndërprerjen e tensioneve në Kuvend si institucionale. Përmes një mesazhi në “X”, Rama thekson se mazhoranca ndodhet tre hapa përpara opozitës dhe se nuk ka gëlltitur asgjë për bashkëpunim me “non gratën” por se po veprojnë brenda kornizës kushtetuese për t’ju lejuar opozitës të drejtën e ngritjes së komisioneve hetimore.

“Ku është pazari me non-gratën?”- pyet në mosbesim ndaj sulmeve në rrjetet sociale Rama, duke shtuar se akuzat dhe shpifjet janë krejt të pabaza për të helmuar publikun.

“Të gjithë idiotët e dobishëm janë sulur socialeve e kanaleve për të thënë se paskërkemi gëlltitur ç’kemi thënë dhe po bashkëpunokemi me non- gratën, pse jemi dakord që sipas kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese të miratojmë komisione hetimore brenda kësaj kornize! Po ne këtë e kemi thënë e stërthënë dhjetëra herë, qyshse refuzuam të miratojmë kërkesa për të ngritur komisione hetimore jashtë asaj kornize! Dhe nëse deputetë të Kuvendit që mbledhin firmat për të ngritur një komision hetimor e bëjnë kërkesën brenda asaj kornize, ne s’kemi as të drejtë, as arsye e as mundësi që ta refuzojmë. E kurdoherë që kjo të ndodhë vota jonë është sigurisht pro!", ka thënë Rama.

Edhe për Komisionin bipartizan të Reformës zgjedhore e kemi thënë prej disa kohësh, nëse nuk pjell asgjë veç sherrit e shamatasë së tyre deri kur të mbyllet afati, do të mbyllet edhe komisioni e kjo punë do t’i mbetet Kuvendit, ku po nuk u arrit dot ndonjë mirëkuptim për ndryshime të ligjit dhe s’ka numra në sallë për të votuar ndryshime, do të shkojmë në zgjedhje me ligjin që kemi. As për këtë s’kemi ndryshuar ndonjë qëndrim a mendim, ka thënë Rama.

"Ah, nëse ata që do të digjnin parlamentin kanë ndërruar mendje dhe duan të rikthehen në punë, ne as nuk i pengojmë dot, as nuk duam t’i pengojmë të reflektojnë, përkundrazi na vjen mirë që ta bëjnë. Kjo është e gjitha dhe ne jemi ata që ishim, aty ku ishim, me po ato qëndrime që kishim, jo sepse është gabim të ndryshosh qëndrim, po sepse në këtë rast nuk ka asgjë për të ndryshuar në qëndrimin tonë", ka shtuar ai.

Çudi që s’e mësuan dot që Partia Socialiste është gjithnjë tre hapa përpara dhe në fund të gjitha xhirot bosh përfundojnë po në pikën ku nisin, tre hapa mbrapa nesh, tha midis tjerash Rama.

Foto: arkivi (Rama na FB)

 

QËNDRONI TË LIDHUR