• e hënë, 10 shkurt 2025

Rama: Këto ditë do të bllokohet Tik Toku në Shqipëri

Rama: Këto ditë do të bllokohet Tik Toku në Shqipëri

Tiranë, 9 shkurt 2025 (MIA) – Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se platforma Tik-Tok do të mbyllet këto ditë, duke shtuar se “shkak për këtë është se Tik-Tok është toksik për fëmijët” dhe se, sipas tij, 95 për qind e prindërve në Shqipëri frikësohen nga platforma. 

“Për pak ditë kjo platformë nuk do të jetë më në dispozicion në Shqipëri, TikTok është shumë toksik, veçanërisht për fëmijët, ndërsa 95 për qind e prindërve në Shqipëri janë të frikësuar. Pezullimi nuk ka përfunduar ende, vlerësojmë se do të bëhet brenda pak ditësh. Po bëjmë edhe një dialog konstruktiv me ta”, bëri të ditur Rama.

Ai theksoi se “do të mbyllet dhe përsëri të hapet për një periudhë derisa Tik-Tok i përmbush të gjitha kërkesat tona”. 

Bllomimin e platformës Tik-Tok, Rama e paralajmëroi në takim me prindër dhe mësimdhënës më 21 dhjetor të vitit të kaluar, për planin e ri për masa për siguri në shkolla, pas vrasjes me thikë të një nxënësi 14-vjeçar në Tiranë nga një bashkëmoshatar i tij. 

“Ne kemi bërë të gjitha kërkimet tona në anën teknologjike dhe do të na duhen gjashtë deri në tetë javë duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe brenda një viti do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. Nuk do të ketë më TikTok në Republikën e Shqipërisë. Më pas, gjatë këtij viti, do të shohim se çfarë masash do të marrin vendet e tjera ose si mund të reagojë vetë TikTok. Është detyra jonë”, tha Rama atëherë.

Menjëherë pas paralajmërimit reagoi lideri i Partisë Demokratike opozitare dhe ish kryeministër shqiptar, Sali Berisha, i cili vendimin e Qeverisë e quajti “akt ekstrem të censurës”. 

Rama vendosi ta ndalojë platformën TikTok vetëm sepse bie imazhi i tij në rrjetet sociale, siç tregojnë të gjitha anketat. Këtë e bën për shkak të zgjedhjeve, që e konfirmon me paralajmërimin se ndalesa do të jetë një vit, shkroi Berisha në rrjetet sociale. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR