• e shtunë, 23 nëntor 2024

Radevi ia ndau mandatin Gabrielit të formojë qeveri të re

Radevi ia ndau mandatin Gabrielit të formojë qeveri të re

 Sofje, 18 mars 2024 (MIA)  - Presidenti bullgar, Rumen Radevi, sot ia ndau mandatin për formimin e qeverisë së re ministres së deritanishme të Punëve të Jashtme Marija Gabriel nga koalicioni i qendrës së djathtë GERB-SDS, në përputhje me marrëveshjen për ndarjen e pushtetit mes dy partive kryesore politike, sipas së cilës secila prej tyre do të ketë kryeministrin e saj nëntë muaj.

Dy partitë arritën marrëveshje për ndarjen e pushtetit pas zgjedhjeve të vitit të kaluar në një përpjekje për t'i dhënë fund një krize politike 2.5-vjeçare, që ta kthejnë stabilitetin dhe ta nxisin zhvillimin ekonomik në vendin anëtar më të varfër të Bashkimit Evropian. 

Ish-kryeministri Nikolaj Denkov nga koalicioni reformues "Ndryshimet Vazhdojnë" në fillim të marsit u tërhoq nga funksioni pas nëntë muajve "të tij", duke i hapur   rrugën emërimit të Gabrielës. 

 Duke e pranuar mandatin, Gabrieli sot deklaroi se këtë e bën "me ndjenjë përgjegjësie sepse Bullgaria ka nevojë për stabilitet".

U paralajmërua edhe se ajo në qeverinë e re do të mbajë resorin e Punëve të Jashtme, të cilën analistët e shohin si garanci se Bullgaria do të mbetet në rrugën e saj pro-perëndimore. 

Gabrieli ka afat prej  shtatë ditëve për ta emëruar kabinetin e ri, i cili më pas duhet të konfirmohet me votim në parlamentin bullgar. 

 Koalicioni i saj GERB ka 69 vende në parlamentin prej 240 anëtarësh, ndërsa blloku reformist ka 63 vende.

Foto: BTA 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR