Rada ukrainase vlerësoi se përpjekjet e Trampit për paqe janë "kyçe"
- Parlamenti i Ukrainës kumtoi se siguria e vendit është e garantuar me mbështetjen e SHBA-së dhe i përshkroi përpjekjet paqesore të presidentit Doland Tramp si "kyçe" për t'i dhënë fund luftës trivjeçare me Rusinë.
- Post By Fami Bajrami
- 08:05, 4 mars, 2025

Kiev, 4 mars 2025 (MIA) - Parlamenti i Ukrainës kumtoi se siguria e vendit është e garantuar me mbështetjen e SHBA-së dhe i përshkroi përpjekjet paqesore të presidentit Doland Tramp si "kyçe" për t'i dhënë fund luftës trivjeçare me Rusinë.
Në kumtesën e mbrëmshme, të publikuar në anglisht tre ditë pas grindjes publike në Shtëpinë e Bardhë midis Trampit dhe presidentit ukrainas, Vollodimir Zelenski, theksohet se mbështetja e Uashingtonit është "më e rëndësishme se kurrë për popullin ukrainas".
"Populli ukrainas dëshiron paqe më shumë se kushdo tjetër në botë dhe beson se roli personal i presidentit Donald Tramp dhe përpjekjet e tij për paqe do të jenë vendimtare për ndërprerje të shpejtë të armiqësive dhe arritjen e paqes për Ukrainën, Evropën dhe mbarë botën”, thuhet në kumtesë.
"Rada Supreme e Ukrainës i përshëndet iniciativat e presidentit Donald Tramp për të filluar një proces negocues, që synon drejt sigurimit të paqes", thuhet në kumtesë.
Parlamenti, gjithashtu, ka shprehur "falënderim të thellë" deri tek Trampi, Kongresin amerikan dhe populli amerikan për mbështetjen e tyre "të vendosur dhe të qëndrueshme" të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
"Rada Supreme e Ukrainës thekson nevojën për zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik me SHBA-në, veçanërisht në eksplorimin e mineraleve kritike", thuhet në kumtesë.
Tramp dje deklaroi se ai nuk beson se marrëveshja kyçe për minerale me Ukrainën për të zhvilluar bashkërisht burimet natyrore të vendit, është e vdekur për shkak të grindjes së ashpër me Zelenskin.
Megjithatë, Tramp ndërkohë mori vendim për të ndaluar përkohësisht ndihmën për Ukrainën, informoi një përfaqësues i Shtëpisë së Bardhë.
"Presidenti e bëri të qartë se ai është i përqëndruar në paqe. Nevojitet që edhe partnerët tanë të jenë të përkushtuar ndaj këtij qëllimi. Po pezullojmë dhe rishikojmë ndihmën tonë për t'u siguruar se ajo do të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjes", tha burimi. E njëjta deklaratë u citua nga të gjitha mediat e tjera, të cilat transmetuan informacionin, duke përfshirë agjencinë ukrainase Ukrinform, e cila i referohet Blumbergut. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s