• e hënë, 23 dhjetor 2024

Rënie rekord të shkallës së lindjeve në Gjermani

Rënie rekord të shkallës  së lindjeve në Gjermani

 Berlin, 20 mars 2024 (MIA) - Në dy vitet e fundit, shkalla e lindjeve në Gjermani ka rënë ndjeshëm dhe është më e ulëta që nga viti 2009, bëri të ditur  sot Instituti Federal për Hulumtime të Popullsisë në Vsbaden.

"Kjo është një rënie jashtëzakonisht drastike e shkallës së lindjeve, në të kaluarën këto faza të rënies kanë qenë shumë më të ngadalta", theksohet në kumtesën e  Institutit Federal për Hulumtim të Popullsisë. 

Studiuesit i përmendin pandeminë e koronavirusit, luftën në Ukrainë dhe inflacionin si arsye të mundshme për rënien e numrit të fëmijëve të lindur. 

 "Në periudha të tilla të krizave të shumta, shumë heqin dorë nga dëshira për të pasur fëmijë", thotë kreu i studimit, Martin Bujard. Ai, megjithatë, nuk mund të thoshte nëse ky ishte një trend aktual apo fillimi i një periudhe afatgjatë të rënies së lindjeve.

Numri i lindjeve ra nga 1.57 fëmijë për grua në vitin 2021 në 1.36 në vjeshtën e vitit 2023, vlera më e ulët e regjistruar që nga viti 2009. 

Pas vitit 1975, nataliteti në Gjermani ishte në rënie të vazhdueshme, me përjashtim të periudhës mes vitit 2015-2021, të cilën ekspertët e lidhin me masat e qeverisë për të ndihmuar nënat me fëmijë, por edhe me ardhjen e një numri të madh të refugjatëve. 

 Unioni Kristian Demokrat (CDU) i opozitës e akuzoi qeverinë për rënien e papritur të nivelit të natalitetit.

"Kjo rënie e normës tregon mosbesim të thellë në punën e qeverisë federale dhe pasigurinë që mbretëron mes qytetarëve për shkak të politikave të gabuara", tha Silvia Bresher, zëdhënëse për çështjet familjare në koalicionin CDU/CSU.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR