Qyteti i Shkupit ofron apartamentin në pronësi të tij, qendër të strehimit për mbrojtjen e viktimave të dhunës me bazë gjinore
- Në seancën e sotme të Këshillit të Qytetit të Shkupit u mor vendimi me të cilin hapet mundësia e përdorimit të një apartamenti në pronësi të qytetit të Shkupit si një shtëpi e sigurt, e mbrojtur dhe e përkohshme për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore.
- Post By Sara Ademi
- 20:36, 10 dhjetor, 2025
Shkup, 10 dhjetor 2025 (MIA) - Në seancën e sotme të Këshillit të Qytetit të Shkupit u mor vendimi me të cilin hapet mundësia e përdorimit të një apartamenti në pronësi të qytetit të Shkupit si një shtëpi e sigurt, e mbrojtur dhe e përkohshme për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore.
Kjo hapësirë, siç informuan autoritetet e qytetit, do të ofrojë akomodim në rast emergjence, mbështetje profesionale, këshillim dhe kujdes të plotë derisa situata të stabilizohet dhe të gjendet një zgjidhje e përhershme.
"Ky është një mesazh i fortë dhe i qartë se asnjë grua dhe asnjë fëmijë nuk duhet të lihet vetëm në momentet e tyre më të vështira. Qyteti i Shkupit po krijon një vend të sigurt që do të jetë një dorë ndihme, një strehë dhe një fillim i ri", tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Me themelimin e qendrës së parë të strehimit në qytet, Shkupi, siç u tha, praktikisht realizon politikat prioritare për mbrojtje, mbështetje dhe parandalim të dhunës. Kjo masë përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në ndërtimin e një sistemi që siguron siguri, kujdes institucional dhe rimëkëmbje dinjitoze të viktimave.
"Qyteti duhet të jetë një strehë për të gjithë qytetarët e tij, veçanërisht për më të rrezikuarit. Prandaj, ky është vetëm fillimi. Ne do të vazhdojmë të investojmë në shërbime të forta, funksionale dhe humane, sepse çdo grua e shpëtuar dhe çdo fëmijë i mbrojtur është fitorja jonë e përbashkët", theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit Gjorgjievski.
Qyteti i Shkupit informon se tashmë i kanë përgatitur të gjitha kushtet e nevojshme për shpalljen e thirrjes publike, e cila do të jetë e destinuar për një organizatë me përvojë të provuar dhe shërbime të specializuara në fushën e mbrojtjes dhe mbështetjes sociale.
"Me këtë, po fillojmë një fazë të re pune të përgjegjshme, transparente dhe humane me qëllim ndërtimin e një qyteti në të cilin dhuna nuk ka vend dhe ku mbështetja është në dispozicion për këdo që e kërkon atë", thuhet në kumtesë. sa/
Foto: Qyteti i Shkupit