• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Qytetarët do të mund të marrin vërtetim për shtetësinë në e-mail dhe telefon mobil

Qytetarët do të mund të marrin vërtetim për shtetësinë në e-mail dhe telefon mobil

Shkup, 16 maj 2023 (MIA) - Fillojmë me procesin e transformimit digjital të shërbimeve për qytetarët në lidhje me dhënien e vërtetimit të shtetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në formë elektronike. Gjatë kësaj, qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut mund të marrin vërtetim për shtetësi në formë elektronike në adresë elektronike dhe telefon mobil, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. 

"Për këtë qëllim, si MPB, miratuam Rregullore për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për mënyrën e mbajtjes së evidencës për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për formularët që aplikohen ose lëshohen. Gjatë kësaj, ekipet e punës nga Departamenti i Informatikës dhe Telekomunikimeve dhe Departamentit të Çështjeve Civile në bashkëpunim me MSHIA-në, bënë të mundur që nëpërmjet Portalit Kombëtar për Shërbimet Elektronike, të zbatohet kërkesa nëpërmjet një adrese elektronike ose telefoni të mençur. Kërkesa dorëzohet në emër personal dhe për fëmijën e mitur, ndërsa shërbimi është në dispozicion në ueb faqen www.uslugi.gov.mk, dokumente personale, shtetësi. Kërkesa mund të parashtrohet nga personi i cili ka shtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe është i regjistruar në portalin e shërbimeve elektronike, përmes Sistemit për Paraqitje të Vetme (SPV), gjegjësisht Portalit Kombëtar për Shërbime Elektronike, në përputhje me rregulloret në fushën e menaxhimit elektronik dhe shërbimeve elektronike dhe nga fusha e dokumenteve elektronike, identifikimit elektronik dhe shërbimeve konfidenciale", sqaroi ministri.

Ai informoi se mënyra e deritanishme e dhënies së vërtetimit për shtetësinë në letër, do të vazhdojë të jepet në mënyrën e deritanishme - personalisht ose me autorizim në sportelet në shërbimet e administratës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, pavarësisht se ku e ka të regjistruar personi vendbanimin. 

"Si Ministri e Punëve të Brendshme vazhdojmë me transformimin digjital të proceseve dhe shërbimeve edhe në periudhën në vijim, me synim ofrimin e shërbimeve të shpejta për qytetarët duke ulur ndikimin e faktorit njeri. Ky është një aspekt i rëndësishëm i procesit të integrimit evropian, sepse do të përmirësojë cilësinë dhe efikasitetin në ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Duke vepruar kështu, do të sigurohet vazhdimësia dhe funksionimi i qetë i institucioneve. Dhe do të përmendja gjithashtu se është një mjet i suksesshëm në luftën kundër korrupsionit", nënvizoi ministri.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu tha se këtu janë që të publikojnë shërbime digjitale në të cilat MSHIA, në bazë të programit dhe Strategjisë Kombëtare për Transformim Digjital në shtet, fillon t'i promovojë shërbimet digjitale të cilat i kanë zhvilluar bashkë me ministritë dhe institucionet e tjera ku ofrojnë shërbime për qytetarët. 

Siç theksoi ai, ata vlerësojnë se përmes digjitalizimit do t'i përmirësojnë shërbimet ndaj qytetarëve, që do të jenë në kohë reale dhe gjithashtu, do ta ulin ndikimin e administratës.

"Ne si MSHIA besojmë se përmes procesit të digjitalizimit do t'u mundësojmë qytetarëve tanë të arrijnë shërbimet që u nevojiten në kohë reale. Qëllimi i MSHIA-së është që deri në fund të vitit 2023 të digjitalizojë mbi 150 shërbime digjitale, të cilat do të jenë shërbime në dispozicion përmes portalit kombëtar uslugi.gov.mk. Gjithashtu dua t'ju informoj se përmes Agjencisë së Digjitalizimit, e cila do të jetë ombrellë në nivel shtetëror për proceset e transformimit digjital, këto shërbime do të mund të vazhdojnë të digjitalizohen plotësisht, në të cilat do të neglizhohet faktori njerëzor", shtoi Aliu. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR