• e premte, 05 dhjetor 2025

Qyra: Pas përfundimit të shportës konsumatore të Vitit të Ri, çmimet e produkteve shkojnë në tregun e lirë

Qyra: Pas përfundimit të shportës konsumatore të Vitit të Ri, çmimet e produkteve shkojnë në tregun e lirë

Shkup, 16 janar 2024 (MIA ) - Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Mendi Qyra deklaroi se nuk mund të garantohet se nuk do të ketë ndryshim të çmimeve të produkteve pas përfundimit të shportës konsumatore të Vitit të Ri, kur ishin të ulura çmimet e disa produkteve ushqimore. 

Ai sqaroi se mbeten të qëndrimit se në kushte normale duhet të funksionojë tregu i lirë. Ai beson se ndërhyrja me rezervat e mallrave, është e mundur vetëm në situata të jashtëzakonshme. Nëse përsëri ka nevojë për miratim të shportës konsumatore, si në muajin e kaluar, ata do të mbështesin një masë të tillë, me përpjekje deri te anëtarët e tyre për t'i ulur çmimet e produkteve të caktuara dhe t'u përmbahen premtimeve të tyre.

"Nëse përsëri miratohet një shportë konsumatore, ne do të kemi të njëjtin qëndrim që kishim edhe një muaj më parë. Ne do të insistojmë që shporta, përkatësisht produketet kryesore, bazë të ulen, siç ishte nga 15 (dhjetor) deri 15 (janari). Në periudhën ndërmjet dy shportave, nëse nuk ka asnjë masë, çmimet do të shkojnë në tregun e lirë, dhe me shumë gjasa (çmimet) do të rriten. Ky është një treg i lirë dhe në të ne nuk ndërhyjmë", tha Qyra në pyetjen e gazetarëve gjatë Ditës së hapur të Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, në të cilën morën pjesë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësore dhe Planifikimit Hapësinore, Izet Mexhiti dhe drejtori i Agjencisë për investime të huaja dhe promovim të eksportit, Refik Xhemaili. 

Pas përfundimit të shportës konsumatore të Vitit të Ri, që zgjati një muaj, ndërsa me të cilën u ulen çmimet e disa produkteve ushqimore, prej sot pritet të dihet nëse çmimet që ishin të ulura do të kthehen në të vjetrën. 

Autoritetet u shprehen të kënaqur me shportën e Vitit të Ri pasi, sipas tyre, ajo ka ndikuar dhe çmimet e ushqimeve dhe pijeve në muajin dhjetor janë ulur krahasuar me muajin nëntor. Qytetarët vunë në dukje se nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh në uljen e çmimit, ndërsa opozita i vlerësoi këto masa si një dështim të plotë. Nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës presin që efektet e shportës së Vitit të Ri të vërtetohen edhe  me të dhënat statistikore për muajin janar krahasuar me dhjetorin dhe paralajmërojnë se do të vazhdohet me masa dhe politika për mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve.

Shporta konsumatore e Vitit të Ri u krijua me iniciativën e sektorit të biznesit dhe përfshinte 1178 produkte nga 96 prodhues dhe shpërndarës. Në aksionin u përfshinë 51 markete. E krijuar si iniciativë e sektorit të biznesit, nuk kishte asnjë vendim të qeverisë për shportën e Vitit të Ri, ndërsa Inspektorati Shtetëror i Tregut mund të monitoronte çmimet vetëm në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve dhe Ligjin për tregti, përkatësisht të monitorojë nëse ka ndonjë koncesion për sa i përket çmimeve të produkteve që janë në shportën e Vitit të Ri dhe çmimet më të ulëta të të njëjtave produkte që kanë qenë në 30 ditët e fundit. ls/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR