• e premte, 05 dhjetor 2025

Qyra akuzoi për presione në administratë dhe sulm ndaj një të punësuari në shkollë

Qyra akuzoi për presione në administratë dhe sulm ndaj një të punësuari në shkollë

Strugë, 31 tetor 2025 (MIA) - Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Strugës, Mendi Qyra sot në konferencë për shtyp akuzoi se një aktivist i Aleancës për shqiptarët e ka sulmuar fizikisht një të punësuar në shkollën e fshatit Ladorishtë.

Sipas tij, në të njejtën shkollë, paraprakisht të punësuarit morën porosi të drejtpërdrejta nga drejtori Shefi Cenka, i cili i ka urdhëruar të marrin pjesë në tubimet e organizuara nga Aleakca kombëtare për integrim.

"Kjo paraqet keqpërdorim të hapur të detyrës zyrtare, ku nëpunësit publikë shfrytëzohen si instrument politik. Ky rast është vetëm kulmi i presioneve, kërcënimeve dhe shantazheve. Në ditët e fundit qytetarët e Strugës u përballën edhe me dukuri të tjera të neveritshme. Vetë Ziadin Sela u dërgonte porosi ofenduese qytetarëve", akuzoi Qyra.

Ai theksoi se persona nga Aleanca për shqiptarët në rrjetet sociale publikisht kanë sulmuar vajza dhe të rinj që kanë marrë pjesë në fushatën e tij, ndërkaq janë frikësuar dhe linçuar edhe gazetarë dhe mediume.

Nëse e fiton besimin e qytetarëve Qyra premtoi se si kryetar i komunës nuk do të merret me të punësuarit në administratë, por se do të ketë përgjegjësi për drejtorët të cilët i keqpërdorën për interesa personale dhe partiake.

"Më 2 nëntor, do ta përfundojmë politizimin në institucionet publike. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve, drejtorëve, udhëheqësve, institucioneve, të jenë të qetë këto ditë, sepse fushata jonë ishte e qartë, të lëvizim në paqe, të bëjmë fushatë të qetë dhe civilizuese", deklaroi Qyra. ab/

Foto: Mendi Qyra

QËNDRONI TË LIDHUR