QMK: Evakuohen 180 persona në shtëpitë e përmbytura në Kërçovë, në Belovishtë janë bllokuar dy fëmijë me nënën
- Gjatë natës, shirat e mëdhenj shkaktuan përmbytjen e lumit Zajashka në rrugën “Prilepska” në Kërçovë, ku u përfshinë disa shtëpi. Rreth 180 persona u evakuuan dhe u vendosën në palestrën sportive “Hristo Uzunov”. U regjistrua gjithashtu grumbullim uji në rrugën “29 Nëntori” në lagjen Podvarosh, ku u përmbytën disa bodrume. U përmbytën edhe disa objekte të spitalit në Kërçovë.
- Post By Besnik Shuki
- 14:26, 15 shkurt, 2026
Shkup, 15 shkurt 2026 (MIA) - Gjatë natës, shirat e mëdhenj shkaktuan përmbytjen e lumit Zajashka në rrugën “Prilepska” në Kërçovë, ku u përfshinë disa shtëpi. Rreth 180 persona u evakuuan dhe u vendosën në palestrën sportive “Hristo Uzunov”. U regjistrua gjithashtu grumbullim uji në rrugën “29 Nëntori” në lagjen Podvarosh, ku u përmbytën disa bodrume. U përmbytën edhe disa objekte të spitalit në Kërçovë.
Qendra për menaxhim me kriza (QMK) në informatë për gjendjen pas rreshjeve të denduara të shiut deri në orën 12:30, informoi se në terren ndërhynë ekipe të OMB Kërçovë, NP “Komunalec” dhe shërbime të tjera kompetente. Janë informuar kryetari i Komunës së Kerçovës dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Në orën 10:00, udheheqësi QRMK Kërçovë mbajti takim në Komunën e Kërçovës, pas të cilit u organizua shpërndarja e ushqimit dhe ujit për të evakuuarit me ndihmën e ekipeve të Kryqit të Kuq. Nga Shkupi janë dërguar ekipe shtesë me batanije, dyshekë, shtretër dhe ndihma të tjera të nevojshme. Sipas informacionit aktual, nuk ka persona të rrezikuar për jetën, por evakuimi parandalues vazhdon. Shumë reshje vijojnë dhe gjendja po ndiqet me kujdes.
Në rajonin e Shkupit, gjatë orëve të para të ditës, përmes numrit 112 janë pranuar disa njoftime nga qytetarët.
Janë raportuar:
•Objekte të përmbytura në oborre në fshatin Idrizovë (Komuna Gazi Baba),
•Përmbytje në fshatin Bukoviq (Komuna Saraj),
•Oborr dhe bodrum i përmbytur në fshatin Zelenikovë (Komuna Zelenikovës),
•Oborr i përmbytur në lagjen Radishani (Komuna Butel).
Të gjitha njoftimet janë përcjellë tek komunat përkatëse, është bërë vlerësim në terren dhe po merren masa për sanimin e pasojave.
Ndërkaq, njofton QMK-ja, në rajonin e Tetovës përmes numrit 112 është raportuar rrëshqitje dhe bllokim i rrugës Tetovë – fshati Xhermë, ku trafiku është ndaluar. Janë informuar QRMK Tetovë, NPK Tetovë dhe policia.
Që nga ora 07:45 në rrugën Tetovë – Mali Sharrit është vendosur ndalim për automjete të rënda dhe autobusë për shkak të reshjeve të borës.
Sa i përket nivelit të ujit, aktualisht nuk ka rritje të lumit dhe nuk pritet përmbytje. Furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm funksionon normalisht.
Në Gostivar dhe fshatrat përreth janë raportuar përmbytje të shtëpive në fshatin Belovishte, si dhe në lagjet Ciglanë dhe Banjëçnicë. Raportohet edhe bllokim i kanalit në fshatin Balindol, ku u përmbytën disa shtëpi. Në një nga shtëpitë e përmbytura në Belovishtë ishin bllokuar dy fëmijë dhe nëna e tyre. Për këtë rast u njoftuan menjëherë NJTZ në Gostivar dhe OPM Gostivar. Përmbytjet janë rezultat i daljes së lumit Sushiçka dhe kanaleve të bllokuara. Planifikohet angazhimi i mekanizimeve për pastrimin e terrenit. Përfaqësues të vetëqeverisjes lokale dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim janë në terren dhe po e monitorojnë situatën. bsh/
Foto: Fejsbuk profili i QMK-së