• e diel, 22 dhjetor 2024

Qeveria: Rishpërndarje e dy miliardë denarëve për realizimin e 66 projekteve në pjesën më të madhe të komunave

Qeveria: Rishpërndarje e dy miliardë denarëve për realizimin e 66 projekteve në pjesën më të madhe të komunave

Shkup, 14 dhjetor 2023 (MIA) - Vendim për rishpërndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej dy miliardë denarësh për realizimin e 66 projekteve në pjesën më të madhe të komunave solli Qeveria në seancën e sotme.

"Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme solli vendim për rishpërndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej dy miliardë denarë të cilat do të destinohen për realizimin e 66 projekteve në pjesën më të madhe të komunave në mbarë vendin, ndër të cilat Qyteti i Shkupit, Qendra, Gjorçe Petrovi, Saraji, Aerodromi, Ohri, Makedonski Brod, Manastiri, Kriva Pallanka, Shtipi, Likova, Kërçova, Vallandova, Strumica, Rosomani, Dojrani, Berova, Dellçeva, Zhelina, Gostivari dhe të tjera, kumtuan pasdite nga shërbimi për shtyp i Qeverisë.

Është parashikuar këto mjete të destinohen pë realizimin e projekteve me të cilat do t'u dilet në ndihmë qytetarëve si ndërtimi dhe mbindërtimi i institucioneve arsimore dhe shëndetësore, objektet sportive, infrastruktura, si dhe projekte nga fusha e mbrojtjes së mjedisit jetësor.

"Nga projektet në pjesën e infrastrukturës rrugore, gjithsej 360 milionë denarë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve do t'i ndahen qytetit të Shkupit për ndërtimin e bulevardit "Hasan Prishtina" në lagjen Vizbeg. Ndër projektet më të mëdha, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve do të ndajë 110 milionë denarë për rindërtimin e rrugës "8 Shtatori" në Orizare të Epërme të Manastirit. Mjete do të ndahen edhe për përfundimin e urës "Lublanska" në Shkup. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ndan 100 milionë denarë për ndërtimin dhe mbindërtimin e SHFK "Bllazhe Koneski" në komunën e Aerodromit, ndërsa me mjete të kësaj ministrie është planifikuar ndërtimi i SHF “Kliment Ohridski” në f. Draçevë dhe është planifikuar ndërtimi i shkollës së re fillore "Krste Misirkov" në Hasanbeg, Komuna e Gazi Babës", sqarohet në kumtesë.

Me mjete të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, siç thuhet në kumtesë, do të ndërtohet salla sportive në SHF "Vanço Nikoleski" në fshatin Leskoec të Ohrit, si dhe do të bëhet rikonstruimi dhe përshtatja e hapësirës për godinë të re shkollore për nevojat e SHF "Koço Racin" në Ohër.

 Me mjete nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në vlerë prej 60 milionë denarë do të ndërtohet kopsht i ri i fëmijëve me kapacitet për 100 fëmijë në kuadër të IPKKF "Rosica" në Stopanski dvor në Komunën e Gjorçe Petrovit. Janë parashikuar ndërtime dhe mbindërtime edhe të kopshteve për fëmijë në Komunën Aerodrom.

Në Prilep, me mjete nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në vlerë prej 90 milionë denarë do të ndërtohet një fabrikë për riciklimin e mbeturinave.

"Nga fusha e mjedisit jetësor është paraparë ndërtimi i impianteve të stacionit të pastrimit në Çuçer Sandevë dhe Plasnicë. Në komunën e Ilindenit do të bëhet rikonstruimi i ambulancës së atjeshme, për të cilën Ministria e Shëndetësisë ka ndarë tetë milionë denarë", thuhet në kumtesë.

Me vendimin qeveritar është parashikuar edhe ndërtimi i sallës sportive në Komunën e Shtipit me mjete të Agjencisë për Rini dhe Sport. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR