• e premte, 05 dhjetor 2025

Qeveria: Nga sot deri më 15 shtator hyn në fuqi vendimi i Qeverisë për uljen prej 10 deri 15 për qind të pajisjeve shkollore

Qeveria: Nga sot deri më 15 shtator hyn në fuqi vendimi i Qeverisë për uljen prej 10 deri 15 për qind të pajisjeve shkollore

Shkup, 15 gusht 2025 (MIA) - Nga sot hyn në fuqi vendimi i Qeverisë për uljen e çmimit të pajisjeve shkollore për së paku 10 dhe 15 për qind. Qeveria në seancën e fundit solli vendim dhe i detyroi tregtarët t'i ulin çmimet për të paktën 10 dhe 15 për qind dhe kjo do të vlejë nga 15 gushti deri më 15 shtator.

Siç citon shërbimi për shtyp i Qeverisë, vendimi është marrë për shkak të asaj që "një pjesë e tregtarëve para fillimit të vitit të ri shkollor në mënyrë enorme i kanë rritur çmimet e pajisjeve shkollore, me çka drejtpërdrejtë ndikojnë për rritjen e shpenzimeve të buxhetit familjar të mijëra qytetarëve".

"Tregtarët me shumicë do ta ulin çmimin e materialit shkollor për të paktën 10 për qind, ndërsa në tregtinë me pakicë për të paktën 15 për qind. Me këtë vendim ulen çmimet e çantave të shpinës dhe çantave të dorës, fletoreve, blloqeve, kolazheve, lapsave dhe stilolapsave (ekonomikë, plastikë), ngjyrave të drurit dhe dyllit, plastelinës, brumit për modelim, bazave, flomasterëve dhe markerëve, ngjyrave tempera, akrilike të ujit dhe brushave, vizoreve dhe materialeve didaktike, mprehëseve dhe gomave për fshirje, gërshërëve për fëmijë, kutive, ngjitësit, kompasit, kalkulatorëve, letrës dekorative, dosjeve dhe çantave të kartonit dhe materialeve për punëdore, si dhe produkteve të tjera të nevojshme për nxënësit, gjë që do të thotë çmime më të ulëta dhe të qasshme për të gjithë qytetarët tanë", njoftuan nga Qeveria.

Gjithashtu, shitësit me pakicë janë të detyruar, përveç çmimit të ri të ulur të produkteve, të publikojnë edhe çmimin e vjetër që ishte në fuqi më 1 qershor të vitit 2025.

"Ky çmim merret si çmimi bazë mbi të cilin përcaktohet ulja. Pastaj, përpara hyrjes në objektin e shitjes ose në një vend tjetër të dukshëm në dyqan, duhet të vendoset qartë dhe dukshëm një poster me format të paktën A3, i cili do të përmbajë mbishkrimin "Më pak kosto, më shumë për ju", i cili është publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, si dhe mbishkrimin: ULJE E  PAJISJEVE SHKOLLORE, prej të paktën 15 për qind. Apelojmë që të mos bëhen përpjekje për të anashkaluar vendimin, sepse Inspektorati Shtetëror i Tregut do të monitorojë në terren nëse ai po respektohet. Në të kundërt, do të pasojnë sanksione, sepse çdo vendim i marrë në interes të qytetarëve duhet të zbatohet", thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Në të kundërtën do të vijojnë sanksione, sepse çdo vendim i marrë në interes të qytetarëve duhet të zbatohet, citohet në kumtesën e Qeverisë.

Me këtë jo vetëm që çmimet e pajisjeve shkollore do të ulen në mënyrë drastike, theksojnë nga Qeveria, "por edhe sipas disa analizave, do të përgjysmohen shpenzimet e mijëra familjeve që kanë nxënës". sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR