• e hënë, 23 dhjetor 2024

Qeveria nesër do të debatojë për Illovicën, Bytyqi mbetet në qëndrimin se do të respektohet vendimi i qytetarëve

Qeveria nesër do të debatojë për Illovicën, Bytyqi mbetet në qëndrimin se do të respektohet vendimi i qytetarëve

Shkup, 24 korrik 2023 (MIA) - Qeveria nesër në mbledhje pritet të debatojë për koncesionin për minierat Illovica-Shtuka. Pritet që ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi të referojë për të gjitha procedurat juridike të cilat janë ndërmarrë për këto miniera duke filluar nga viti 2012. 

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi edhe sot përsëriti se do të respektohet vendimi i qytetarëve, gjegjësisht se nëse deklarohen kundër hapjes së minierave në këtë rajon, kjo do të respektohet. 

"Nesër kemi mbledhje të Qeverisë në të cilën ministri i Ekonomisë është i obliguar që të referojë për procedurat gjyqësore dhe procedura të tjera juridike që janë ndërmarrë për Illovicën duke filluar nga viti 2012 e deri më sot. Pasi që t'i dëgjojmë të gjitha momentet, do të dihet cili është hapi i ardhshëm. Si Qeveri thamë se nëse qytetarët thonë se nuk duan të kenë minierë, ne do të veprojmë ashtu. Mendoj se aty një herë ka pasur deklarim të qytetarëve vetëm në Bosilovë, jemi të gatshëm që tu ndihmojmë të gjithë qytetarëve nga gjithë ai rajon që të deklarohen në referendum nëse duan ose nuk duan të ketë minierë", tha Bytyqi pas vizitës në kompaninë "Sivus". 

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për atë se nëse qytetarët deklarohen kundër, Qeveria është e gatshme t'i paguajë gjoba investitorit, zëvendëskryeministri tha se nuk dihen të gjitha momentet juridike sepse ende nuk dihet si do të jetë saktë rezultati. 

Në datën 15 të këtij muaji qytetarët e rajonit të Strumicës mbajtën protestë kundër hapjes së minierës Illovica-Shtuka. 

Në lidhje me Ligjin për tatim solidar për të cilin kishte reagime nga odat ekonomike të cilat paralajmëruan edhe kontestimin para Gjykatës Kushtetuese, zëvendëskryemnistri tha se ligji është në procedurë kuvendore dhe se nëse Gjykata Kushtetuese merr vendim kundër ligjit, Qeveria këtë do ta respektojë. 

"Ligji është në procedurë kuvendore dhe Qeveria është e pafuqishme kur ligji tashmë është në procedurë kuvendore. I mbetet Kuvendit që ta miratojë ligjin si organi më i lartë ligjvënës. Çdo kontestim i ligjit është e drejtë demokratike. Nëse kontestohet para Gjykatës Kushtetuese edhe ai ka vendim për këtë, atëherë Qeveria gjithsesi se do ta respektojë atë vendim", tha Bytyqi. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR