Qeveria formon grup pune për vendosjen e mekanizmit për mbrojtje nga keqpërdorimi i të ashtuquajturave padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike
- Në seancën e sotme, Qeveria miratoi një sërë vendimesh të rëndësishme dhe thelbësore që konfirmojnë qartë orientimin e vendit dhe përkushtimin konkret për përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe për mbrojtjen e interesit publik dhe vlerave demokratike.
- Post By Fami Bajrami
- 17:57, 27 janar, 2026
Shkup, 27 janar 2026 (MIA)- Në seancën e sotme, Qeveria miratoi një sërë vendimesh të rëndësishme dhe thelbësore që konfirmojnë qartë orientimin e vendit dhe përkushtimin konkret për përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe për mbrojtjen e interesit publik dhe vlerave demokratike.
Qeveria, siç informojnë prej atje, ndërmori edhe një hap të fuqishëm dhe të shumëpritur drejt mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe interesit publik.
"Formuam një grup pune për vendosjen e një mekanizmi për mbrojtje nga keqpërdorimi i të ashtuquajturave padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike, një temë për të cilën prej vitesh kanë folur dhe kanë kërkuar gazetarët dhe komuniteti mediatik. Ky është një sinjal i qartë se kjo Qeveri ka vullnet, guxim dhe proaktivitet për t’u përballur me çështje thelbësore", ka thënë zëdhënësja e qeverisë, Marija Miteva.
Gjithashtu, me miratimin e Ligjit për prodhimin bujqësor organik, tha ajo, bëjmë një hap të rëndësishëm në mbështetjen e fermerëve të vegjël.
"Ky ligj mundëson certifikim të lehtësuar përmes uljes së kostove të inspektimit dhe certifikimit, gjë që kontribuon drejtpërdrejt në një plasman më konkurrues të produkteve organike në treg. Njëkohësisht, përmirësohet edhe korniza ligjore me dispozita më të qarta, më precize dhe më të zbatueshme, të harmonizuara me standardet evropiane. Me këtë, përmbushim edhe një obligim tjetër që buron nga procesi i anëtarësimit në BE", ka thënë Miteva.
Foto: Qeveria