Qeveria ende punon në rregullimin ligjor të përfaqësimit të drejtë
- Kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën e sotme për media theksoi se po punohet në hartimin e ligjit për përfaqësim të drejtë, por se ende nuk është vendosur nëse do të jetë zgjidhje e re ligjore apo nëse do të rregullohet në kuadër të zgjidhjeve ligjore ekzistuese.
- Post By Fami Bajrami
- 15:31, 28 janar, 2025
Shkup, 28 janar 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën e sotme për media theksoi se po punohet në hartimin e ligjit për përfaqësim të drejtë, por se ende nuk është vendosur nëse do të jetë zgjidhje e re ligjore apo nëse do të rregullohet në kuadër të zgjidhjeve ligjore ekzistuese.
"Po punohet për këtë zgjidhje ligjore. A do të jetë zgjidhje e re ligjore apo në kuadër të zgjidhjeve ekzistuese, veçanërisht në pjesën e Agjencisë për nëpunësit shtetëror, ka ende një debat të brendshëm për kushtetutshmërinë e saj që të mos vijmë përsëri në një situatë të futjes së një ‘implanti’ që më pas do të duhet ta hedhim, siç ndodhi për shkak të politikave të një partie tjetër politike e cila për 22 vjet ka gënjyer votuesit e saj me këtë lloj ‘implanti’”, ka thënë kryeministri.
Mickoski thekson se kjo Qeveri dëshiron të ofrojë zgjidhje reale.
"Ne duam që ajo që bëjmë të jetë e përhershme dhe të ofrojmë zgjidhje reale. Dhe pasi të përfundojmë tekstin, nëse ka ligj të ri, ose nëse ai ligj i ri i referohet një ligji tjetër, do të bëhet publik dhe do t'i dërgohet Komisionit të Venecias për mendim. Që të mos na ndodhin ‘implante’ të tilla dhe më pas të bëhen temë politike, sepse është e qartë se parti të caktuara politike që me ‘implante’ të tilla kanë gënjyer qytetarët për 22 vite, që të rrisin llogaritë e tyre personale, të rrisin pasurinë, po e shndërrojnë këtë temë nga një temë praktike në temë politike", ka thënë kryeministri Mickoski.
Gjykata Kushtetuese në seancën e 9 tetorit të vitit të kaluar vendosi të shfuqizojë “balancuesin” – mjetin e punësimit në bazë të përkatësisë nacionale në institucionet shtetërore. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski atëherë në konferencë për media pas seancës sqaroi se vendimi i gjykatës është marrë me shumicë votash dhe nuk do të vlejë në mënyrë retroaktive. Ai i quajti manipulim pretendimet se Gjykata Kushtetuese ka hequr të drejtat e komuniteteve. Me vendimin shfuqizohen dispozitat nga ligjet për sektorin publik dhe administratën publike, si dhe aktet nënligjore që operacionalizojnë vlerën themelore të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Foto: arkivi i MIA-s