Qeveria e miratoi propozimin për shkarkimin e prokurorit publik Lupço Kocevski
- – Qeveria në mbledhjen e sotme e miratoi propozimin për shkarkimin e prokurorit publik Lupço Kocevski, informojnë nga Qeveria për MIA-n.
- Post By Fitore Curri
- 16:40, 25 shkurt, 2025

Shkup, 25 shkurt 2025 (MIA) – Qeveria në mbledhjen e sotme e miratoi propozimin për shkarkimin e prokurorit publik Lupço Kocevski, informojnë nga Qeveria për MIA-n.
Pas përfundimit të procedurave qeveritare i njëjti do të dërgohet në Këshillin e Prokurorëve Publikë prej ku sipas afateve ligjore Këshilli duhet të dërgojë mendim në afat prej 15 ditëve.
Qeveria më 11 shkurt të vitit 2025 mori vendim që të fillojë procedurë për shkarkimin e prokurorit publik, Kocevski i cili ishte zgjedhur në këtë pozitë para një viti, ndërsa mandati i tij zgjat gjashtë vjet.
Ministria e Drejtësisë, duke vepruar sipas konkluzionit të mbledhjes së 50-të të Qeverisë, e përgatiti Propozim-mendimin për shkarkimin e prokurorit shtetëror publik.
“Gjatë periudhës së kaluar ishim dëshmitarë të një varg skandalesh, funksionalitet të dëmtuar të Prokurorisë Publike, marrëdhënie të dëmtuara ndërnjerëzore, veprime të jashtëligjshme dhe korrupsion, joefikasitet në ndjekjen penale dhe shkelje të parimeve të organizimit të Prokurorisë Publike dhe pavarësinë në shkeljen e funksioneve të prokurorëve në Prokurorinë e Lartë Publike”, ishte bërë e ditur nga Ministria e Drejtësisë.
Prokurori shtetëror publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, siç thonë nga Ministria e Drejtësisë, ka vepruar në lëndë në të cilat sipas dispozitave ligjore ekzistonin rrethana të cilat shkaktojnë dyshim në paanshmërinë e tyre, si dhe konfliktit të interesave, ndërsa për të cilat rrethana ai duhej të dijë dhe duhej të përjashtohej.
Prokurori republikan, Lupço Kocevski e mohon akuzën se jashtëligjshëm ka vepruar duke theksuar se e ka ndjekur ligjin dhe afatet në të. Ai deklaroi se do të deklarohet për propozimin për shkarkimin e tij pasi Qeveria do ta dorëzojë në Këshillin e Prokurorëve Publikë. Lidhur me kërkesën e kryeministrit Hristian Mickoski që të largohet nga funksioni, Kocevski tha se do të përgjigjet pasi që t’i shohë bazat e parapara në Ligjin për Prokurorinë Publike. Nëse konstatohet se me të vërtetë ka shkelje të rëndë disiplinore, ai tha se vetë do të tërhiqet nga funksioni.
Kryeministri Mickoski në një deklaratë për mediat tha se procedura mund të zgjasë disa javë ose muaj, sipas ligjit.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për atë nëse në mbledhjen e sotme qeveritare do të shqyrtohet dhe pranohet propozimi për shkarkimin e Kocevskit, sqaroi se Qeveria nuk mund ta shkarkojë, por mundet vetëm ta fillojë procedurën.
“Absolutisht që ne si Qeveri nuk mund ta shkarkojmë atë, por mund të nisim procedurën. Siç kam informacion unë letra duhet t'i dërgohet Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe aty duhet të presim mendim brenda 15 ditëve. Kjo procedurë do të marrë kohë, nuk do të përfundojë menjëherë. Kështu është ligji”, tha Mickoski. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s