• e martë, 24 dhjetor 2024

Qentë heronj të ndihmës në Turqi dhe Siri, rëndësinë e tyre e shohim gjatë katastrofave natyrore

Qentë heronj të ndihmës në Turqi dhe Siri, rëndësinë e tyre e shohim gjatë katastrofave natyrore

Shkup, 10 shkurt 2023 (MIA) – Qentë kanë një instinkt të fortë për të ndihmuar dhe shqisa jashtëzakonisht të forta të nuhatjes, që janë thelbësore për të ndihmuar gjatë fatkeqësive natyrore siç janë tërmetet. Pasi tërmeti me magnitudë 7.8 ballë të shkallës Rihter goditi disa zona në Turqi dhe Siri të hënën, një numër i madh shtetesh, si pjesë të ekipeve të tyre të shpëtimit kanë dërguar edhe qen gjurmues.

Fotot e qenve që gjejnë të mbijetuar të ngujuar nën rrënoja janë shpërndarë në rrjetet sociale dhe në media që nga e hëna, madje ka pasur një foto të një qeni që thuhet se ka shpëtuar dhjetë jetë njerëzish.

Ekipi ynë i kërkim-shpëtimit prej 24 efektivësh të ushtrisë me dy qen të stërvitur gjurmues u nis për në Turqi. Shpresë se gjatë kërkimeve do të shpëtohen jetë njerëzish japin edhe dy qentë Koni dhe Piksi, të cilët së bashku me instruktorët janë trajnuar pikërisht për të gjetur njerëz në fatkeqësi natyrore.

Qentë, siç informojnë për MIA-n nga Ministria e Mbrojtjes, janë transportuar sipas procedurave të transportit me fluturime ajrore, si dhe procedurave të aeroporteve dhe komunikacionit ajror.

Dy qentë e shërbimit të caktuar në ekipin e kërkim-shpëtimit janë  - qen stani belg – qenush mashkull dhe labrador - qenush femër, të cilët janë pesë ose gjashtë vjeç

Këta dy qen, sipas Ministrisë, i janë nënshtruar trajnimit të plotë të kërkimit të specializuar në Qendrën tonë të Trajnimit dhe Stërvitjes së Qenve të Shërbimit të Ushtrisë si pjesë e Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës. Drejtuesit e qenve të shërbimit janë edhe instruktorë me përvojë për këtë lloj trajnimi të cilët janë perfeksionuar në Republikën e Turqisë.

Qentë e shërbimit janë pjesë e një familjeje qensh që edukohen dhe rriten plotësisht në Qendër, e cila ka qen të racave – qen stani gjerman, qen stani belg, qen stani i Sharrit, labrador retriever dhe rotuajler.

Siç citojnë nga Ministria për MIA-n, qentë trajnohen pasi të mbushin moshën 18 muajsh dhe trajnimi zgjat nëntë muaj.

Disa prej këtyre qenve deri më tani kanë marrë pjesë me skuadrat e qëllimeve speciale në stërvitje të shumta, si dhe në raste kërkimi si rasti i përmbytjeve katastrofike të vitit 2016 dhe raste të tjera të kërkimit të personave të zhdukur në zonat malore.

Kërkimeve për të mbijetuar nga tërmetet në Turqi dhe në Siri i janë bashkuar edhe shumë vende të tjera që po dërgojnë edhe qen shpëtimi.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë fqinje ka publikuar në Fejsbuk dy ditë më parë foto të qenit zyrtar që është dërguar në ndihmë të viktimave në Turqi si pjesëtar i barabartë i Ekipit Special të Shpëtimit.

Sipas raportimeve, emri i qenit është Zigi, ai është nëntë vjeç dhe është një qen stani belg i trajnuar për të kërkuar dhe shpëtuar njerëzit nën rrënoja dhe në vende të hapura. Ai ka përfunduar trajnimin bazë të bindjes, si dhe shpëtimin dhe kërkimin bazë të njerëzve. Ai mori pjesë në disa operacione shpëtimi dhe disa stërvitje ndërkombëtare në Slloveni dhe Serbi

Shërbimi zviceran i shpëtimit "Redog" ka dërguar 14 qen në Turqi, ndërsa qentë e shërbimit janë dërguar edhe nga Kroacia, Polonia, Republika Çeke, Gjermania, Greqia, India, Mbretëria e Bashkuar, Kina, Tajvani, Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.

Dëshira e qenve për të ndihmuar dhe gjetur ndonjë viktimë është më e fortë se frika

Qentë janë thjesht të aftë të ndjejnë gjëra përtej perceptimit njerëzor. Për shembull, ata mund të nuhasin aromat dhe të dëgjojnë tinguj që njerëzit nuk mund t'i nuhasin ose dëgjojnë. Ka teori që që në vitin 373 para Krishtit, ka pasur raporte për sjellje të çuditshme të kafshëve përpara një tërmeti. Ndër shembujt e shumtë të tillë është edhe videoja e publikuar këto ditë në rrjetet sociale, ku një qen hungërinte i shqetësuar pak minuta para tërmetit, në shenjë alarmi.

Siç sqaron për MIA-n Gizela Boshkovska nga Shoqata për Mbrojtjen e Kafshëve “Anima Mundi”, ka shumë teori dhe hulumtime që pretendojnë se sjellja e pazakontë e kafshëve mund t'i ndihmojë njerëzit të parashikojnë tërmete të forta.

Boshkovska thotë se ajo që është e rëndësishme është se dëshira e tyre për të ndihmuar, për të gjetur viktimën dhe për të paralajmëruar është më e fortë se frika, por thekson se është dërrmues fakti që vetëm në fatkeqësi dhe tragjedi të tilla e kuptojmë rëndësinë dhe përmasat e tyre.

Përveç gjetjes së njerëzve, disa nga videot që bënë xhiron e botës pas tërmetit në Turqi dhe Siri janë gjithashtu pamje të qenve nëna që përpiqen dëshpërimisht të shpëtojnë këlyshët e tyre që janë nën rrënoja. Një nga videot tregon nënën që përpiqet të bëjë një vrimë për të arritur tek të vegjlit e saj.

 

Marija Spasovska

QËNDRONI TË LIDHUR