• e enjte, 04 dhjetor 2025

Pushteti në Serbi është kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, studentët po marrin mbështetje nga opozita për kërkesën rreth shpërndarjes së Parlamentit

Pushteti në Serbi është kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, studentët po marrin mbështetje nga opozita për kërkesën rreth shpërndarjes së Parlamentit

Beograd, 6 maj 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri i Serbisë sot hodhi poshtë idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi studentët në bllokadë njoftuan për herë të parë vonë mbrëmë se kërkojnë shpërbërjen e Kuvendit. Ivica Daçiç i cili njëherësh është edhe ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë, tha këtë mëngjes se qeveria ka shumicë të qëndrueshme parlamentare dhe se kërkesat e tilla nga studentët mund të nënkuptojnë "fundin e ëndrrës së tyre".

"Serbia ka nevojë për stabilitet politik dhe zhvillim të vazhdueshëm ekonomik. Sipas mendimit tim, nuk ka arsye për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Qeveria ka shumicë të qëndrueshme parlamentare", ka thënë ai.

Daçiqi shton se nuk është mbështetës i zgjedhjeve të parakohshme, por vetëm i atyre të rregullta.

"Nuk e kam fshehur kurrë këtë, jo sepse kam frikë nga rezultatet. As nuk mendoj se e kuptojnë se ky mund të jetë fundi i ëndrrës së tyre", tha Daçiqi.

Studentët gjatë bllokadës në Beograd thanë mbrëmë se kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Ne kërkojmë shpërbërjen e menjëhershme të Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare konform nenit 109 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë”, publikuan ata në rrjetin social X. Besojnë se demokracia është e vetmja mënyrë e drejtë për të dalë nga kriza.

Ata gjithashtu theksuan se rrënjët e korrupsionit në qeveri kanë depërtuar thellë në institucionet shtetërore të cilat pengohen të kryejnë në mënyrë të pavarur detyrat e tyre.

Në deklaratën për mediat në Beograd, një studente nga Fakulteti i shkencave politike tha se studentët nuk do të kandidojnë për poste.

"E dimë sa përgjegjësi është të jesh në pozicione të tilla, por njerëzit që aktualisht janë në pushtet nuk e kuptojnë dhe për këtë arsye ne do të mbështesim njerëz që i konsiderojmë si kredibil dhe që mendojmë se do ta përfaqësojnë drejtë zërin e popullit", deklaroi Sofija Periq, studente në Fakultetin e shkencave politike.

Kur bëhet fjalë për opozitën, Periq tha se studentët ende nuk kanë vendosur se kush do të jetë në listë dhe shpjegoi se studentët ende nuk duan të zbulojnë emrat konkret dhe profesionet e njerëzve që do të mbështesin.

Një pjesë e opozitës serbe ka njoftuar tashmë mbështetjen e tyre për kërkesën e studentëve për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

"Në Serbi mund të ndjeni aromën e lirisë e cila po afrohet çdo ditë dhe ky proces është i pandalshëm", ka thënë deputeti Millosh Parandiloviq, njëherësh lider i partisë "Fytyra e re e Serbisë".

Parlamenti Evropian do ta shqyrtojë sot raportin për Serbinë, ndërsa pasdite raportuesi i PE-së për Serbinë, Tonino Picula do të mbajë konferencë për shtyp.

Në draft-raportin mbi Serbinë për vitet 2023 dhe 2024, problemet sistemike nga protestat e studentëve në mbarë Serbinë janë theksuar si veçanërisht shqetësuese.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR