• e premte, 05 dhjetor 2025

PTHP NKOK paralajmëron se me kujdes do të shqyrtojë pretendimet për përgjim të paligjshëm të komunikimeve

PTHP NKOK paralajmëron se me kujdes do të shqyrtojë pretendimet për përgjim të paligjshëm të komunikimeve

Shkup, 2 shtator 2025 (MIA) - Pas udhëzimit të prokurorit publik, Ljupço Kocevski, Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit formoi një lëndë në të cilin po ndërmerren veprime për të verifikuar akuzat për monitorimin e kryeministrit, informoi PTHP NKOK, duke theksuar se do të shqyrtohen me kujdes edhe pretendimet e fundit të publikuara nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ASK).

Nga Prokuroria, gjithashtu theksojnë se Prokuroria Publike nuk ka asnjë mundësi për të kryer ndjekje të paligjshme të komunikimeve.

"Prokuroria vetëm ndjekë kërkesat e bazuara në ligj nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ASK) për masa preventive të inteligjencës në Gjykatën e Lartë, e cila më pas lëshon urdhrin për realizimin e masave. Në përputhje me ligjin për monitorimin e komunikimeve, një urdhër për masa speciale hetimore mund të lëshohet vetëm për vepra penale të parashikuara në mënyrë strikte në vetë ligjin", theksojnë nga Prokuroria.

Drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), Bojan Hristovski, dje deklaroi se për rastin është informuar prokuroria publike kompetente, duke mos zbuluar detaje se sa persona janë përfshirë me përgjime, pasi bëhet fjalë për dokumente të klasifikuara. Për periudhën kur është kryer përgjimi, Hristovski tha se në vitin 2019, ASK-ja ka qenë gjithçka, përveçse një agjenci reformuese. 

"Ishte më shumë një fasadë sesa një institucion i reformuar. Ajo që po ndodhte brenda ishte se një grup më i vogël i përbërë nga një ish drejtor dhe një grup më i vogël punonjësish dhe ne kemi indikacione se ata kanë abuzuar me detyrën e tyre zyrtare. Zyra e prokurorit publik kompetent është njoftuar për të njëjtën gjë dhe nuk mund të ndaj më shumë detaje rreth kësaj, ata janë shumë të kualifikuar dhe të ndjeshëm dhe ne nuk do të donim të shkelnim asnjë proces ligjor dhe në të njëjtën kohë të pengonim një proces që është iniciuar ose do të iniciohet nga zyra e prokurorit publik", tha Hristovski.

Kryeministri Kristijan Mickoski, i cili është përgjuar gjatë periudhës kur ishte lider i opozitës, tha se do të lërë që çështjen ta përfundojë Prokuroria. Ai shpreson që ata që kanë abuzuar me pozitat e tyre gjatë asaj periudhe, do të përgjigjen.

"Pres që këta brejtës të përfundojnë aty ku u takon, pas grilave, për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë abuzimit me këto lloj agjencish dhe burimet që ato kanë në dispozicion", deklaroi dje Mickoski. qa/ 

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR