Protesta në Marok: Kolektivi rinor "GenZ 212" kërkon dorëheqjen e qeverisë
- Kolektivi rinor maroken i formuar së fundmi "GenZ 212", bëri thirrje që qeveria të japë dorëheqjen sonte, pas protestave gjashtëditore për shërbime më të mira shëndetësore dhe arsimore, të cilat u shoqëruan me dhunë dhe vdekjen e tre personave.
- Post By Qefsere Abduli
- 09:20, 3 tetor, 2025
Rabat, 3 tetor 2025 (MIA) - Kolektivi rinor maroken i formuar së fundmi "GenZ 212", bëri thirrje që qeveria të japë dorëheqjen sonte, pas protestave gjashtëditore për shërbime më të mira shëndetësore dhe arsimore, të cilat u shoqëruan me dhunë dhe vdekjen e tre personave.
Demonstratat, të organizuara nga "GenZ 212" që nga e shtuna, erdhën pas protestave që filluan rreth mesit të shtatorit në disa qytete, për shkak të vdekjes së tetë grave shtatzëna që u pranuan për prerje cezariane në një spital shtetëror në Agadir, në jug të vendit.
"Populli kërkon shëndetësi dhe arsim", brohorisnin dhjetëra protestues dje, duke valëvitur flamuj marokenë në lagjen tregtare Agdal në qendër të kryeqytetit Rabat.
Tubime u mbajtën edhe në Kazablanka, Marakesh dhe Agadir, sipas raporteve të mediave lokale.
Grupi theksoi se "i hedhë poshtë të gjitha format e dhunës" dhe i bëri thirrje protestuesve të "respektojnë natyrën paqësore" të lëvizjes.
Dhuna shpërtheu në të gjithë vendin gjatë natës pas demonstratave.
Tre persona u vranë nga xhandarmëria "në vetëmbrojtje" ndërsa përpiqeshin të "sulmonin" një brigadë xhandarmërie në fshatin Lklija, në afërsi të Agadirit, për të sekuestruar armë dhe municion, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Kryeministri Aziz Akhanush konfirmoi gatishmërinë e qeverisë për t'u "përgjigjur kërkesave sociale" të të rinjve dhe shprehu "gatishmëri për dialog".
Mbretëria, e cila do të jetë bashkë-organizuese e Kampionatit Botëror në vitin 2030, ka nisur projekte të mëdha infrastrukturore: ndërtimin e stadiumeve të rinj, zgjerimin e rrjetit të hekurudhave të shpejta dhe modernizimin e disa aeroporteve.
"GenZ 212" gjithashtu, bëri thirrje për "lirimin e të gjithë të arrestuarve në lidhje me protestat paqësore". qa/
Foto: EPA