Propozim ndryshimi për ndalimin e lëndëve piroteknike në ambiente të mbyllura kaloi në Komisionin Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri
- Komisioni Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri e shqyrtoi dhe e përcolli në procedurë të mëtutjeshme Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, me të cilin propozohet ndryshimi i rregullores ligjore me qëllim të ndalimit të përdorimit të lëndëve shpërthyese - mjeteve piroteknike në hapësira të mbyllura. Propozimi pritet të shqyrtohet edhe sot në Komisionin Ligjvënës-Juridik.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 19:17, 1 prill, 2025

Shkup, 1 prill 2025 (MIA) - Komisioni Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri e shqyrtoi dhe e përcolli në procedurë të mëtutjeshme Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, me të cilin propozohet ndryshimi i rregullores ligjore me qëllim të ndalimit të përdorimit të lëndëve shpërthyese - mjeteve piroteknike në hapësira të mbyllura. Propozimi pritet të shqyrtohet edhe sot në Komisionin Ligjvënës-Juridik.
Me ligjin e propozuar, për të cilin nuk janë paraqitur amendamente, bëhet ndryshim intervenues në Ligjin për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike si rezultat i tragjedisë me zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan më 16 mars, ku humbën jetën 59 të rinj dhe rreth 200 u lënduan.
Është përcaktuar se nuk lejohet përdorimi i mjeteve piroteknike të përcaktuara me ligj në objekte dhe ambiente të mbyllura, si dhe parashikohen gjoba për kundërvajtje për personat fizikë dhe juridikë që veprojnë në kundërshtim me ndalimin.
Deputeti Toni Jarevski nga VMRO-DPMNE në debatin e Komisionit theksoi se propozimi ka për qëllim ngritjen e parandalimit dhe rendit në shtet.
"E gjithë kjo ka për qëllim rritjen e parandalimit dhe rendit në shtet, ku implementimi i tyre duhet të kontribuojë në parandalimin e përsëritjes së aksidenteve të tilla, për të cilën të gjithëve na vjen keq. Më vjen mirë që u mbështet nga opozita. Janë zgjeruar veprat penale për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Gjoba është rritur, ndërsa për shkelje të përsëritura është paraparë masë radikale e paraburgimit, si dhe shtohen kompetencat e policisë", informoi ai.
Sipas deputetes Dragana Bojkovska nga VMRO-DPMNE, ky ndryshim ligjor nuk paraqet vetëm ndryshim ligjor, por duhet të jetë një hap dhe një apel se duhet të ketë përgjegjësi por edhe që të mos ketë kompromis për sigurinë e të rinjve.
Në propozim qëndron se, duke pasur parasysh se Ligji i ri për lëndët shpërthyese për përdorim civil është në proces të hartimit nga ministria kompetente, ky propozim konkret bëhet një ndryshim i përkohshëm në Ligjin për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, deri në miratimin e e zgjidhjeve të reja ligjore që do të rregullojnë në detaje të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me substancat shpërthyese për përdorim civil.
Foto: Arkivi i MIA-s