• e premte, 22 nëntor 2024

Prononcohet gazetari Furkan Saliu përmes profilit në Fejsbuk të portalit të tij “PortaliX”

Prononcohet gazetari Furkan Saliu përmes profilit në Fejsbuk të portalit të tij “PortaliX”

Shkup, 7 prill 2024 (MIA) - Gazetari Furkan Saliu është prononcuar përmes profilit në Fejsbuk të portalit të tij “PortaliX”. Në postimin gazetari Saliu thekson se është mbajtur në stacionin policor në Autokomandë dhe se për shkaqe objektive nuk mund të prononcohet përmes profilit të tij personal në Fejsbuk.

Saliu ka thënë se nuk ka sulmuar policinë edhe pse ndoshta ka ndikuar që situata të eskalojë. Ai ka thënë se policia ka fshirë materialet e regjistruara pasi janë dërguar në stacionin e policisë në Autokomandë.

"Më vjen keq që me sjelljen time ndoshta kam ndikuar që situata të eskalojë që në fund të përfundoj në pranga. Më vjen keq edhe nëse ju kam dëshpëruar juve që keni besuar në punën time. Ju siguroj që unë nuk kam sulmuar polic. Edhe pse gjithçka ka qenë e xhiruar, policia i ka fshirë materialet në stacion policor", ka thënë Saliu.

Gazetari thotë se pa urdhër të gjykatës si dhe pa lejen e tij është kryer bastisje në makinën e tij nga ana e njësisë speciale të MPB-së gjatë së cilës është gjetur armë për të cilën Saliu thotë se ka leje.

"Sa i përket armës që është gjetur në veturën time… Arma është me leje dhe është gjetur në veturën time. Gjatë arrestimit tim telefoni, çelësat me kanë rënë prej xhepi dhe kameramani im i ka marrë. Pa urdhër të gjykatës dhe pa qenë unë prezent si pronar i veturës është kontrolluar nga njësiti special. Vepra e cila më ngarkohet, sulm ndaj nëpunësit policor nuk mban ujë dhe asnjëherë nuk mund të dëshmohet. Faleminderit për përkrahjen dhe shpresoj se do shihemi shumë shpejt", ka shkruar mes tjerash Saliu.

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski thotë se arrestimi është pasojë e sulmit ndaj nëpunësve policor, pjesëtarëve të Njësisë së për intervenim të shpejtë të cilët kanë qenë të angazhuar për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në një ndeshje futbolli që u vlerësua si e rrezikshme për sigurinë.

Foto: PortaliX

 

QËNDRONI TË LIDHUR