• e hënë, 23 dhjetor 2024

Prokuroria publike ka nëshkruar Deklaratë për formimin e komponentës rajonale

Prokuroria publike ka nëshkruar Deklaratë për formimin e komponentës rajonale

Shkup, 5 shtator 2023 (MIA) - Një delegacion i Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga prokurorët publikë Ferat Elezi dhe Anita Topolova Isajlovska, morën pjesë sot në Vjenë në ngjarjen rajonale me rastin e themelimit të komponentës rajonale të GlobE - Rrjeti global operativ i organeve të anti-korrupsionit, njoftoi Prokuroria Publike.

Prokurori Publik Elezi, gjatë nënshkrimit të deklaratës për themelimin e komponentës rajonale, theksoi se një përfitim i rëndësishëm nga themelimi i komponentës rajonale të rrjetit do të jetë qëllimi i ndërgjegjësimit të publikut për efektet e dëmshme të korrupsionit në shoqëri dhe promovimi i rëndësisë së integritetit, transparencës dhe llogaridhënies në institucionet publike.

"Programi i planifikuar i mbështetjes përmes trajnimeve dhe asistencës teknike do të na mundësojë që në një kohë relativisht të shkurtër të ndërtojmë kapacitetet tona si institucione për të forcuar ndjeshëm përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e kthimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme", theksoi Elezi dhe shtoi se presin që pas krijimit dhe funksionalizimit të plotë, komponenti rajonal i rrjetit do të lehtësojë ndjeshëm veprimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rastet që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe konfiskimin e pronës, si procedura që kushtëzohen drejtpërdrejt nga bashkëpunimi i ndërsjellë dhe shkëmbimi i informacioneve.

Të dhënat statistikore të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut tregojnë se kërkesat për shkëmbim të informatave dhe për ndihmë juridike ndërkombëtare, të cilat lehtësojnë ndjekjen penale të korrupsionit, janë më të shumtat pikërisht me vendet e rajonit.

"Është e kuptueshme duke pasur parasysh afërsinë dhe lidhjen e vendeve tona, gjë që kontribuon që autorët e veprave penale të transferojnë lehtësisht aktivitetet e tyre të paligjshme përtej kufijve në përpjekje për t'i mbuluar ato. Kjo është arsyeja pse shpejtësia dhe cilësia e bashkëpunimit tonë rajonal me të cilin ne përpiqemi të përgjojmë aktivitete të tilla kriminale ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e ndjekjes penale. Si prokurori jemi të hapur për bashkëpunim dhe gjithmonë mundohemi të takojmë vendet kërkuese, në mënyrë që autorët e krimeve për të cilat po zhvillohen procedura të dalin përpara drejtësisë dhe të marrin dënimet e merituara”, theksoi prokurori publik Elezi në ngjarjen.

Siç paralajmëruan, komponenti rajonal i GlobE - Ballkani Perëndimor do të përbëhet nga organet anti-korrupsion nga Shqipëria, Bosnja ee Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Pjesëmarrja në këtë rrjet, i krijuar për të kontribuar në shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në ndjekjen penale të autorëve të veprave korruptive, ka një rëndësi të madhe.

Në kuadër të rrjetit, nga Republika e Maqedonisë së Veriut marrin pjesë edhe Prokuroria Publike, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia Financiare. ls/

Foto: Prokuroria publike

 

QËNDRONI TË LIDHUR