Prokuroria për Onkologjinë 2: Vasevi dhe Nuhiu nuk kanë vepruar në interes të institucionit publik dhe pacientëve, por në interesin e tyre personal dhe kompanive private
- Ish drejtorët mjekësor dhe ekonomik të Klinikës për radioterapi dhe onkologji, Nino Vasev dhe Nehat Nuhiu, nuk kanë vepruar në interes të institucionit publik dhe të pacientëve, por në interesin e tyre personal dhe të kompanive private dhe me veprimet e tyre kanë keqpërdorur dhe minuar besimin në sistemin shëndetësor dhe interesin publik, deklaroi prokurorja Ana Gogovska Jakimovska në fjalimin hyrëse për rastin Onkologjia 2.
Shkup, 12 shtator 2025 (MIA) - Ish drejtorët mjekësor dhe ekonomik të Klinikës për radioterapi dhe onkologji, Nino Vasev dhe Nehat Nuhiu, nuk kanë vepruar në interes të institucionit publik dhe të pacientëve, por në interesin e tyre personal dhe të kompanive private dhe me veprimet e tyre kanë keqpërdorur dhe minuar besimin në sistemin shëndetësor dhe interesin publik, deklaroi prokurorja Ana Gogovska Jakimovska në fjalimin hyrëse për rastin Onkologjia 2.
Gogovska Jakimovska, para Gjykatës, theksoi se Klinika e onkologjisë është e specializuar për trajtimin e pacienteve me sëmundjet më të rënda malinje, ku të akuzuarit nuk i paraqitën nevojat reale mjekësore dhe nuk ndoqën procedurën për furnizimet publike, duke u mbrojtur me pretendimin se vepronin në interes të pacientëve, duke shpjeguar kështu mënyrën si kryenin veprat penale.
"Prokuroria do të dëshmojë se me furnizimet e paligjshme publike të medikamenteve, pa miratimin e FSSH-së dhe me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, të akuzuarit shkaktuan dëme në buxhet prej mbi 2.2 miliardë denarë. Me keqpërdorimin e sistemit të reverseve, pa bazë ligjore, ata mashtruan institucionet shtetërore dhe mundësuan përfitime të paligjshme për disa kompani farmaceutike. Në këtë mënyrë, FSSH-ja u mashtrua se bëhej fjalë për detyrime ligjore", deklaroi Gogovska Jakimovska.
Prokuroria, theksoi Gogovska Jakimovska, gjatë procesit do të paraqesë prova materiale, raporte financiare, dokumentacion nga furnizimet publike dhe dëshmi të personelit zyrtar, me të cilat do të vërtetohet se të akuzuarit nuk kanë vepruar në interes të institucionit publik, por në interesin e tyre personal.
Gjykata penale në qershor të këtij viti miratoi akuzat ndaj ish drejtorëve të Klinikës për radioterapi dhe onkologji, Nino Vasev dhe Nehat Nuhiu, për keqpërdorime, mashtrim dhe shpërdorim detyre nga viti 2018 deri në 2022. Sipas aktakuzës, ata kishin bërë furnizime të paligjshme medikamentesh, kishin fshehur përmes tenderëve fiktivë dhe kishin përvetësuar një pjesë të terapisë, duke shkaktuar dëme për buxhetin prej gati 36 milionë eurosh. Vasev është akuzuar edhe në një çështje tjetër për trajtim të papërgjegjshëm të pacientëve në klinikë.
Në aktakuzë thuhet se vepra penale "keqpërdorim të detyrës zyrtare" është kryer nga të akuzuarit, drejtorët mjekësor dhe organizativ, përmes kalimit të kufijve të autorizimeve të tyre zyrtare dhe moskryerjes së detyrave të tyre zyrtare në procedurat e furnizimeve të medikamenteve, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për shëndetësinë, Ligjin për sigurimin shëndetësor, Statutin e Klinikës, Ligjin për buxhetet dhe Ligjin për furnizimet publike. Me këto veprime ata përfituan pasuri të konsiderueshme për të tjerë dhe shkaktuan dëm në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në një shumë totale prej mbi 2.2 miliardë denarësh.
Gjithashtu, të dy akuzohen për veprën penale mashtrim në detyrë pasi kanë kryer disa vepra të lidhura në kohë, që përbëjnë realizimin e përsëritur të të njëjtës vepër penale, duke shfrytëzuar të njëjtën marrëdhënie të qëndrueshme dhe mundësi të njëjta, në mënyrë që gjatë kryerjes së detyrave të tyre zyrtare me qëllim përfitimin e paligjshëm pasuror për një tjetër, ata krijuan një detyrim të kundërligjshëm dhe e kanë mashtruar Fondin e Sigurimeve Shëndetësore (FSSH) që të kryejë një pagesë të paligjshme. Në këtë mënyrë, ata kanë përfituar përfitime të konsiderueshme për furnizuesit e medikamenteve në vlerë prej mbi 430 milionë denarësh.
Përveç kësaj, kundër Vasevit dhe tre mjekëve onkologë po zhvillohet një çështje tjetër Onkologjia 1 për trajtim të papërgjegjshëm të pacientëve. Vasev dhe dy të akuzuarit tjetër, Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, të gjithë të punësuar në Klinikën për radioterapi dhe onkologji në Shkup, para Gjykatës mohuan fajin, ndërsa e akuzuara e dytë, Meri Peshevska e pranoi fajin, pas së cilës Gjykata e ndau procedurën kundër saj dhe do të duhet të vazhdojë më 17 shtator. qa/
Foto: MIA