• e hënë, 23 dhjetor 2024

Prokuroria kërkon paraburgim për edhe një person, nën dyshimin se i ka ndihmuar Lupço Palevskit që të ikë

Prokuroria kërkon paraburgim për edhe një person, nën dyshimin se i ka ndihmuar Lupço Palevskit që të ikë

Shkup, 5 dhjetor 2023 (MIA) - Prokuroria Themelore Publike në Shkup në Gjykatën Themelore Penale ka parashtruar propozim për përcaktimin e masës së paraburgimit 48-orësh kundër një shkupjani 46-vjeçar nën dyshimin se i ka ndihmuar Lupço Palevskit - Pallço, i dyshuari i parë për vrasjet e Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski, të ikë në Turqi, nëpërmjet Bullgarisë dhe Serbisë.

Sip informojnë nga Prokuroria Publike, personi dyshohet se e ka ndihmuar kryerësin e veprës penale nga neni 365 paragrafi 3 në lidhje me nenin 1 të Kodit Penal.

"Dyshimi se i dyshuari e ka kryer veprën, rrjedh nga provat e siguruara deri më tani nga Byroja për Siguri Publike, Sektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, të dorëzuara në SPB Shkup, ku thuhet se personi i dyshuar për kryerjen e veprës penale, për të cilën tani është lëshuar fletarrest ndërkombëtar, më datë 02.12.2023 është regjistruar në pikat kufitare në Republikën e Bullgarisë, me hyrje në Republikën e Bullgarisë në VK Kalotina dhe dalje nga Republika e Bullgarisë në VK Kapiten Andrevo (drejt Republikës së Turqisë). Të dy regjistrimet janë me automjet 'Land Rover' i drejtuar nga i dyshuari. Personi është privuar nga liria dhe nëpunësit policorë të Sektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar kanë zhvilluar bisedë informative me të", thuhet në kumtesën e PPRMV-së.

Në rastin konkret, siç bëjnë të ditur nga PPRMV, ekzistojnë rrethana të cilat e arsyetojnë frikën për rrezik nga arratisja, si dhe rrethana të veçanta të cilat e arsyetojnë frikën se do ta përsërisë veprën penale, duke pasur parasysh rrethanat për llojin dhe karakterin e veprës, veprës së ndërprerë dhe pasojat nga e njëjta.

Ministria e Punëve të Brendshme dje ka shpallur fletarrest ndërkombëtar për Lupço Palevskin, përderisa Gjykata Penale në Shkup me propozim të Prokurorisë Themelore Publike ka marrë vendim për zbatimin e hetimit kundër Lupço Palevskit i dyshuar i parë në vrasjet e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovski. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR