• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Prokuroria kërkon heqjen e arrestit shtëpiak dhe përcaktimin e paraburgimit efektiv edhe për ish drejtorin organizativ të "Onkologjisë" Nuhi, ai thotë se është i pafajshëm dhe nuk do të ikë

Prokuroria kërkon heqjen e arrestit shtëpiak dhe përcaktimin e paraburgimit efektiv edhe për ish drejtorin organizativ të

Shkup, 20 qershor 2025 (MIA) – Në Gjykatën e Apelit në Shkup sot u mbajt seancë publike pas ankesave për masën “arrest shtëpiak” për ish drejtorin organizativ të Klinikës së Onkologjisë, Nehat Nuhi për rastin “Onkologjia”. Prokuroria kërkon heqjen e arrestit shtëpiak dhe përcaktimin e paraburgimit efektiv, për shkak të rrezikut nga arratisja, përderisa Nuhi thotë se është i pafajshëm dhe kërkoi nga gjykata që të mbrohet në liri. 

Gjykatësja Vesna Dimishkova, duke shpjeguar rastin, tha se gjykata themelore gjatë përcaktimit të masës së paraburgimit prej 30 ditëve ka vlerësuar se në momentin e vendosjes prania e të dyshuarit mund të sigurohet me masën e arrestit shtëpiak. 

Prokurorja publike Fatime Fetai, duke e shpjeguar propozimin për paraburgimin efektiv tha se paraburgim nuk përcaktohet vetëm nëse ekziston arratisje jashtë Maqedonisë, por edhe nëse ekziston rrezik nga fshehja e të dyshuarit në territorin e shtetit. 

“Duke e pasur parasysh llojin, karakterin dhe pasojat e veprave penale për të cilat ngarkohet dhe se është dëmtuar buxheti në vlerë prej 2,2 miliardë denarë ekziston dyshimi se mund të arratiset. Vlerësojmë se ekziston bazë për përcaktimin e masës paraburgim”, deklaroi Fetai 

I akuzuari Nehat Nuhi para gjykatës tha se është baba i tre fëmijëve të mitur, me një nënë e cila ka dëmtime serioze në shëndet dhe se aktivisht punon si avokat dhe ka lëndë. 

“Dhe hipotetikisht, unë asnjëherë nuk do të arratisem, sepse besoj se nuk jam fajtor dhe do të luftoj deri në fund që drejtësia të përmbushet dhe për mua të ketë aktvendim lirues”, deklaroi Nuhi.

Avokatja e tij Anita Begova, në lidhje me rrezikun e rritur për përcaktimin e masës së paraburgimit, tha se kundër Nuhi kemi aktakuzë, e cila mund të hidhet poshtë dhe se qëllimi për kërkimin e paraburgimit efektiv është vetëm të mos mundet të përgatisë mbrojtje cilësore. 

“Paraprakisht kemi përvojë me masa të cilat Nuhi i ka respektuar plotësisht një vit e pesë muaj. Nuk ekziston bazë se do ta përsërisë veprën, sepse më nuk është drejtor. Ka tre fëmijë, dhe kujdeset për nënën e tij. Nuk është aq i pasur që të përballojë arratisjen dhe fshehjen jashtë vendit”, deklaroi Begova. 

Paraprakisht sot në Gjykatën e Apelit në Shkup u mbajt mbledhje publike edhe pas ankesave për masën “arrest shtëpiak” për ish drejtorin e Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev. Prokuroria kërkoi shfuqizimin e arrestit shtëpiak dhe përcaktimin e paraburgimit efektiv, përderisa Vasevi kërkoi nga gjykata që të mbrohet në liri.  

Për rastin “Onkologjia”, Prokuroria Themelore Publike ngriti dy aktakuza që përfshijnë dy ish-drejtorët e Klinikës dhe katër onkologë. Ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev, akuzohet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, “mashtrim në detyrë” dhe “përvetësim në detyrë”. 

Shumica e veprave, siç informoi prokurorja në fjalë, Ana Gogovska Jakimovska, në një konferencë për shtyp, janë kryer nga i pandehuri i parë Vasev në cilësinë e tij si drejtor zyrtar dhe i pandehuri i dytë, drejtori organizativ, në bashkëpunim midis viteve 2018 dhe 2022.

“Ata kryen veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare’ duke tejkaluar kufijtë e juridiksionit të tyre zyrtar dhe duke mos e kryer detyrën e tyre zyrtare në procedurat për prokurimin e barnave, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Shëndetit, Ligjin për Sigurimin Shëndetësor, Statutin e Klinikës, Ligjin për Buxhetet dhe Ligjin për Prokurimet Publike, tha Gogovska Jakimovska.

Të dy akuzohen për vepër penale të vazhdueshme “Mashtrim në detyrë”, kështu që gjatë kryerjes së detyrës së tyre zyrtare me qëllim që të përfitojnë dobi të paligjshme pasurore për një tjetër, kanë krijuar një detyrim të paligjshëm dhe e kanë mashtruar Fondin e Sigurimeve Shëndetësore (FSSH) që të bëjë një pagesë të paligjshme. Në këtë mënyrë, Gogovska Jakimovska tha se furnizuesit e ilaçeve kanë përfituar dobi të konsiderueshme pasurore në shumën prej mbi 430 milionë denarësh.

Me veprime të tilla, prokurorja theksoi se ata kanë përfituar dobi të konsiderueshme pasurore për të tjerët dhe kanë shkaktuar dëme në buxhetin e shtetit në një shumë totale prej mbi 2.2 miliardë denarësh. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR