• e premte, 05 dhjetor 2025

Prokuror publik ka qenë në "Makprogres", inspektimi nuk ka filluar, vazhdojnë aktivitetet për sigurimin e lokacionit

Prokuror publik ka qenë në

Shkup, 7 shtator 2025 (MIA) - Prokuror publik nga Prokuroria themelore publike nga Koçani ka qenë në fabrikën "Makprogres", por siç informon Prokuroria publike e shtetit, inspektimi ende nuk ka filluar, sepse zjarri nuk është shuar plotësisht dhe se ende zgjasin aktivitetet për sigurimin e lokacionit.

"Ndërkohë, prokurori publik po lëshon urdhra dhe udhëzime për veprime të tjera për një hetim të plotë të ngjarjes", informojnë nga Prokuroria publike.

Zjarri në fabrikë shpërtheu dje në mbrëmje rreth orës 18, duke djegur depo dhe disqe prodhimi. Përveç zjarrfikësve nga Vinica në shuarje u përfshinë edhe zjarrfikës nga disa komuna fqinje. Janë lënduar 18 persona nga të cilët 13 janë të shtruar në spital. Të gjithë janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Tetë personave, punonjës të fabrikës u është ofruar ndihmë mjekësore në Klinikën e Toksikologjisë në Shkup. Katër nga zjarrfikësit që morën pjesë në shuarjen e zjarrit u shtruan në Spitalin e përgjithshëm në Koçan, ndërsa një zjarrfikës është shtruar në Spitalin klinik në Shtip. Nga Oda ekonomike e Maqedonisë së Veriut, ku kompania "Makprogres" është anëtare, paralajmëruan formimin e Shtabit të krizës me pronarin e fabrikës me qëllim normalizimin e plotë të situatës.

"Një ekip nga Oda ekonomike ka qenë e pranishme në vendngjarje që nga momenti i shpërthimit të zjarrit dhe së bashku me pronarët do të formojë Shtab të krizës. Oda po ndërmerr aktivitete për normalizimin e plotë të situatës", thonë nga Oda ekonomike. "Makprogres" është kompani vendase e themeluar 35 vjet më parë dhe një nga prodhuesit kryesorë të produkteve të ëmbëlsirave në vend.

Kompania sipas informacioneve në ueb faqen e saj eksporton 75 për qind të prodhimit të saj. 

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR