• e hënë, 23 dhjetor 2024

Projektet infrastrukturore dhe tranzicioni energjetik në fokus të takimeve të ministrit Besimi me përfaqësues të BERZH-it dhe IFC-së

Projektet infrastrukturore dhe tranzicioni energjetik në fokus të takimeve të ministrit Besimi me përfaqësues të BERZH-it dhe  IFC-së

Shkup, 14 tetor 2023 (MIA) -  Interesimi për përkrahjen e ciklit të investimeve që ka nisur Qeveria me projekte të mëdha strategjike në infrastrukturën e transportit dhe sektorin energjetik është shprehur në takimet e ministrit të Financave, Fatmir Besimi me përfaqësuesit e lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillimi (BERZH) dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare – IFC. 

"Në takimin e ministrit me nënkryetarin e parë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Jürgen Rigterink, u theksua se BERZH-i është institucioni financiar ndërkombëtar më aktiv në vendin tonë, që merr pjesë në sigurimin e mjeteve financiare për realizimin e projekteve publike dhe përkrah fuqishëm zbatimin e axhendës së reformave evropiane të vendit", kumtoi sot Ministria e Financave.

Ministri Besimi në këtë takim shprehu mirënjohje për përkrahjen nga kjo bankë, e cila merr pjesë në sigurimin e mjeteve financiare për projektin mbi ndërtimin e aksit të fundit të Korridorit Hekurudhor 8 drejt Bullgarisë, ndërtimin e vendkalimit të përbashkët kufitar në Tabanocë drejt Republikës së Serbisë, si dhe interkonektorin e gazit me Greqinë. Ky institucion financiar ndërkombëtar do të jetë partneri ynë i rëndësishëm në procesin e tranzicionit energjetik në energjinë e gjelbër, me ç'rast vendi do të ketë qasje në 85 milionë dollarë për realizimin e këtij lloji të projekteve. 

Fokusi i takimit të ministrit Besimi me nënkryetarin rajonal të Korporatës Financiare Ndërkombëtare – IFC, Alfonso Garcia Mora, ishte përkrahja e projekteve lidhur me tranzicionin energjetik në vend drejt projekteve të gjelbra energjetike.

Në takim u bisedua për financimin e projekteve nga sektori energjetik, veçanërisht në shfrytëzimin e burimeve energjetike të ripërtërishme, zbatimin e procesit të dekarbonizimit, si dhe zgjerimin e rrjetet energjetike. 

Ministri në kuadër të takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Marok, pati takim edhe me investitorët e Bankës Amerikane, ku u prezantuan politikat makroekonomike të vendit, si dhe me Agjencinë e Zhvillimit Ndërkombëtar – IDA, pjesë e Grupit të Bankës Botërore. Republika e Maqedonisë së Veriut u bë vendi i 56-të anëtar donator në IDA, ku në këtë takim iu shpreh mirënjohje ministrit Besimi. 

 Besimi gjatë pjesëmarrjes në Takimet Vjetore të FMN-së dhe BB-së, ministri i Financave, Fatmir Besimi, ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe të Bankës Botërore, ku është shprehur konfirmimi dhe përkrahja e politikave që po zbaton vendi.

 Nga Ministria e Financave informojnë se në takimet me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së, Bo Lee, drejtorin e FMN-së për Europën, Alfred Kamer, drejtorin ekzekutiv të FMN-së, Paul Hilbers, si dhe me drejtorin ekzekutiv alternativ, Luc Dresse, u potencua se vendi po zhvillon politika të mirëfillta makroekonomike dhe se ato krijojnë bazë solide për rritjen e potencialit të rritjes ekonomike.

"Në takimet me Bankën Botërore u theksua se vendi ka pasur një partneritet jashtëzakonisht të rëndësishëm në 30 vitet e fundit dhe se  vazhdon me programin e  ri pesëvjeçar që synon vazhdimin e procesit të reformës në rrugën drejt qasjes së  anëtarësimit në BE dhe sigurimin e rritjes së qëndrueshme, rezistente dhe të gjelbër. Programi dhe përkrahja për politikat zhvillimore prej rreth 100 milionë eurove, që priten deri në fund të vitit, janë konfirmim i politikave dhe përpjekjeve të Qeverisë për konsolidim fiskal", informon Ministria e Financave. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR