• e hënë, 23 dhjetor 2024

Profesori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Bujar Dugolli u prit nga Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli

Profesori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Bujar Dugolli u prit nga Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli

Tetovë, 29 shtator 2023 (MIA) - Profesori i Fakultetit Filozofik, njëherazi anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Bujar Dugolli, është pritur sot në Universitetin e Tetovës nga Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Në këtë takim pune, siç njofton Zyra për informim pranë UT-së, u bisedua për arsimin e lartë dhe avancimin e procesit mësimor-shkencor në universitetet shqiptare.

"Bazuar në të kaluarën dhe rolin domethënës të të dy universiteteve u theksua nevoja e bashkërendimit të veprimtarisë arsimore dhe përgatitjen e agjendave të përbashkëta, sidomos të universiteteve publike që e kanë përvojën e nevojshme dhe posedojnë kapacitetet kadrovike për t’u shërbyer iniciativave me karakter arsimor - shkencor, por edhe për çështje thelbësore me interes publik", informon UT.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se ecuria pozitive e institucioneve të arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë dhe kudo në rajon është shërbimi më i madh që mund t’i behet shoqërisë në shtetet respektive.

Në këtë takim miqësor, po ashtu u trajtuan edhe tema të tjera si, thellimi i bashkëpunimit të mëtutjeshëm, për kapërcimin e sfidave dhe harmonizimin e programeve studimore në përputhje me kërkesat dhe zhvillimet e fundit inovative.

Sikurse Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, po ashtu edhe Universiteti i Tetovës, kanë pak a shumë të njëjtën histori themelimi, dhe në rrugën e afirmimit institucional kanë dhënë kontributin e tyre edhe Dugolli dhe Zejneli - si drejtues të unioneve studentore në universitetet përkatëse. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR