Procedura është duke vijuar, presim epilogun në çdo moment, thotë Fillkovi për ekstradimin e Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit
- Presim. Siç kemi biseduar me kolegen time javën e kaluar atje procedura është në vazhdim, kështu që presim epilog në çdo moment, deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov në konferencën e sotme për media duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se deri ku është ekstradimi nga Kosova e Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit të cilët janë të dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale "terrorizëm" në rastin "Monstra" për vrasjen e pesëfishtë tek liqeni i Smilkovës.
- Post By Fami Bajrami
- 13:55, 27 nëntor, 2024
Shkup, 27 nëntor 2024 (MIA) - Presim. Siç kemi biseduar me kolegen time javën e kaluar atje procedura është në vazhdim, kështu që presim epilog në çdo moment, deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov në konferencën e sotme për media duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se deri ku është ekstradimi nga Kosova e Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit të cilët janë të dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale "terrorizëm" në rastin "Monstra" për vrasjen e pesëfishtë tek liqeni i Smilkovës.
Në fillim të tetorit, Fillkov në Prishtinë ka zhvilluar takim pune me ministren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu ku siç u informua atëherë, midis tjerash është diskutuar edhe për rastin "Monstra".
"Në takim u diskutua edhe për dy çështje të hapura me interes për të dyja vendet. Është diskutuar për rastin 'Monstra' për të cilën pala kosovare ka deklaruar se kërkesat për ekstradim janë proceduar nga ana e Prokurorisë publike dhe se menjëherë pas marrjes së vendimit ose informacioneve konkrete për të njëjtën do ta informojnë Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut", kumtoi Ministria e Drejtësisë.
Kërkesa për ekstradim nga Kosova ka qenë temë e bisedës edhe në takimin e gushtit në Shkup midis kryeministrave të Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës, Hristijan Mickoski dhe Albin Kurti.
Ministri Fillkov në korrik të këtij viti informoi se ka nënshkruar kërkesë për ekstradim për Demirin dhe Afrimin ku është dorëzuar në Ministrinë e Kosovës dhe se pritet përgjigje.
Në procesin gjyqësor për rastin e njohur si "Monstra" me burgim të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim Ismailoviq dhe Agim Ismailoviq. I akuzuari Fejzi Aziri u dënua me 15 vite burg, ndërsa Haki Aziri 9 vite. Është liruar për shkak të mungesës se dëshmive vetëm i akuzuari Sami Luta.
Ismailoviqi dhe Demiri akuzohen se janë dy nga tre autorët e kryerjes së vrasjes në Liqenin e Smilkovës. Ata janë në Kosovë dhe ndaj tyre janë lëshuar fletarreste. rq/
Foto: arkivi i MIA-s