• e diel, 22 dhjetor 2024

Pritje e organizuar nga zëvendëskryeministri i parë Mexhiti me rastin e përvjetorit të Marrëveshjes kornizë

Pritje e organizuar nga zëvendëskryeministri i parë Mexhiti me rastin e përvjetorit të Marrëveshjes kornizë

Shkup, 14 gusht 2024 (MIA) - Me rastin e 23-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit, zëvendëskryeminsitri i parë, Izet Mexhiti mbrëmë organizoi pritje për përfaqësues të korit diplomatik në vend, kreun shtetëror, deputetët, sektorin civil dhe mysafirë të tjerë.

Siç kumtoi Kabineti i Mexhitit, në fjalimin e tij ai theksoi se Marrvëeshja e 13 gushtit 2001 është dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm strategjik që solli paqe dhe se "me ndihmën e miqve tanë strategjik ndërkombëtarë, atëherë kemi sjellë vendim të vërtetë".

"Sot, pas 23 vitesh, 13 gushti na sjell bashkimin e të gjitha bashkësive etnike në kremtimin e përfitimeve të rëndësishme shoqërore që janë rezultat i ndryshimeve kushtetuese që dolën nga Marrëveshja e Ohrit. Si asnjëherë më parë, me të gjitha ngjarjet e sotme shtetërore, ne dërgojmë një mesazh se edhe nga disfatat dhe fitoret me armë e sakrifica njerëzore, ne kemi kapacitet për të nxjerrë mësime, ne njohim urtësinë dhe kemi vullnet të fuqishëm të shohim drejt të ardhmes së përbashkët", tha Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti.

Siç ceket në kumtesë, zëvendëskryeministri i parë ka cekur se Marrëveshja e Ohrit  hodhi themelet për integrimin e plotë të popullit shqiptar në institucionet shtetërore, vlerëson rolin e shqiptarëve në formimin e Maqedonisë së Veriut, krijoi mekanizma funksionalë për përdorimin e gjuhës shqipe në nivel qendror dhe lokal, për mënyrën e përdorimit të simboleve identitare për shqiptarët, përcaktoi drejtimin e decentralizimit të komunave dhe është simbol i ndërtimit të urave për besim të ndërsjellë.

"Marrëveshja e Ohrit në vetvete ka një qëllim shumë fisnik. Ajo hapi rrugën për një proces gjithëpërfshirës të integrimit të shqiptarëve. Krijimi i mundësive të barabarta për arsim, përfshirë arsimin universitar, krijimin e vendeve të punës, ngritjen e institucioneve kulturore dhe artistike, mundësimin e botimeve, krijimin e mediave përmes politikave inkluzive gjuhësore, ndërtimin e elitave të barabarta, thjesht ridefinon shoqërinë në një nivel më të lartë demokratik. Ky proces, i cili vazhdon, bazohet në lirinë - lirinë e individit si komponent themelor i çdo forme të organizimit shoqëror, dhe për këtë arsye paraqet bazë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave kolektive të grupeve etnike, prandaj nuk duhet të bëhet peng i vullnetit të subjekteve të ndryshme politike", theksoi Mexhiti.

Shtoi edhe se shteti sot po përballet me sfida serioze, si Qeveri e re kanë hasur "institucione të devastuara të cilat për momentin akoma nuk kanë kapacitet të jenë nës ervis të qytetarëve" dhe se po punojnë shumë për ta kthyer shtetin "në rrugën e vërtetë". ab/

Foto: Kabineti i zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR