Prezantohet Strategjia për arsimin e të rriturve 2025-2030
- Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qendra për arsimin e të rriturve (QARR) sot e kanë prezantuar Strategjinë për arsimim të të rriturve 2025-2030, e cila duhet të mundësojë produktivitet më të madh të popullsisë dhe zhvillim të shoqërisë.
- Post By Qefsere Abduli
- 15:11, 10 prill, 2025

Shkup, 10 prill 2025 (MIA) - Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qendra për arsimin e të rriturve (QARR) sot e kanë prezantuar Strategjinë për arsimim të të rriturve 2025-2030, e cila duhet të mundësojë produktivitet më të madh të popullsisë dhe zhvillim të shoqërisë.
Ministrja Vesna Janevska theksoi se strategjia bazohet në konceptin e të mësuarit të përjetshëm, i cili, tha ajo, është shumë i rëndësishëm për aktivizimin e popullatës së papunë të rritur në vend dhe për përvetësimin e shkathtësive që i kërkon koha e re dhe zhvillimi teknologjik.
"Por, gjithsesi, edhe për sfidën e proceseve demografike. Për fat të keq, popullsia jonë po plaket, nataliteti është i ulët, dhe ne duhet të ndërmarim masa për të përmirësuar produktivitetin e popullsisë. Statistikat thonë, që është mirë, se që nga mosha 25 deri 64 vjet, 25 për qind e popullsisë është përfshirë në këtë lloj dhe lloje të tjera të edukimit. Por, sigurisht, do të përpiqemi të arrijmë nivelin evropian prej 47 për qind", deklaroi Janevska.
Ajo e falenderoi QARR-in dhe Bashkimin Evropian për përpunimin e strategjisë e cila, siç tha ajo, është një dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm për zbatimin e reformave në sistemin arsimor, të cilët do ta përmirësojnë arsimin.
"Para një kohe të caktuar kemi miratuar një Ligj të ri për arsimin e të rriturve, në të cilin kemi dy instrumente të reja - njëri është miratimi i programeve, tjetri është akreditimi i institucioneve dhe ai, gjithashtu, duhet të kontribuojë dukshëm në zhvillimin e personelit të punësueshëm", shtoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës.
Ajo shpjegoi bëhet fjalë për një edukim joformal dhe me përvojë, të cilin do ta zbatojë Qendra, që nënkupton trajnime më të shkurtra dhe më të gjata, trajnime dhe rikualifikim shtesë për të papunët dhe personat nga grupet e margjinalizuara dhe sociale, për t'u mundësuar atyre integrimin më të shpejtë në tregun e punës nëpërmjet programeve që do të zhvillohen nga Qendra për arsimin e të rriturve dhe institucionet që ajo do t'i akreditojë.
Programet do të krijohen sipas analizës për nevojat e tregut të punës, e cila parashikohet me strategjinë. Përdoruesit e interesuar do të informohen për konkurset që i shpallë QARR-ja.
U.d drejtori i Qendrës për arsim të të rriturve, Sadudin Sadiki, i cili paradokohe ka marrë pozitën udhëheqëse, falënderoi për mbështetjen MASH-in, punonjësit e Qendrës, grupin punues, Këshillin në QARR, dhe udhëheqjen e saj të mëparshme që ndihmuan në përgatitjen e strategjisë.
"Qëllimi kryesor i strategjisë është implementimi i vlerave arsimore evropiane në sistemin tonë, respektivisht politikat dhe praktikat arsimore evropiane tek popullata e rritur përmes edukimit joformal deri në pjesë të arsimit formal”, deklaroi Sadiki dhe theksoi se si drejtor i ri, do të përpiqet të zbatojë në mënyrë të vazhdueshme strategjinë për të përmbushur qëllimin e saj. qa/bsh/
Foto: MIA