• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Prezantohet Raporti vjetor për punën e Avokatit të Popullit

Prezantohet Raporti vjetor për punën e Avokatit të Popullit

30 mars 2023

Në konferencën e sotme për shtyp do ta informoj publikun për gjendjen e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut në vitin e kaluar 2022, e konstatuar në Raportin vjetor për nivelin e sigurimit të respektimit, avancimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut, të cilin konform dispozitave ligjore sot e dorëzova në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Përveç të dhënave statistikore, do t'ju prezantoj shembuj në disa fusha për të cilët konsideroj se autoritetet në periudhën e ardhshme duhet të angazhohen seriozisht me qëllim që të miratohen ndryshime ligjore, disa të ri-precizohen ose të gjinden zgjidhje sistemike, me qëllim që qytetarëve të mos u cenohen të drejtat e tyre.

Statistika tregon se në vitin raportues 2022 u pranuan/evidentuan 3,209 parashtresa, ndërsa 273 lëndë janë transferuar nga viti paraprak.Gjithsej numri i lëndëve/parashtresave sipas të cilave vepruam/i shqyrtuam është 3.482.

Ky numër paraqet një rritje prej rreth 20 për qind krahasuar me vitin e kaluar, gjë që është e kuptueshme nisur nga fakti se situata me pandeminë u stabilizua dhe të gjitha institucionet, përfshirë edhe Institucionin e Avokatit të popullit, u kthyen në mënyrën si punonin para pandemisë.

Procedurë është ngritur sipas 2.173 parashtresave, ndërsa për 737 parashtresa për shkak të moskompetencës nuk u iniciua. Në 103 parashtresa/raste, qytetarët kanë parashtruar pyetje sipas të cilave Avokati i popullit pas analizimit të rregullativës juridike, qytetarëve u përgjigjej me shkresë, u jepte këshillë juridike dhe i drejtonte në zgjidhjen e problemeve të tyre dhe në këtë mënyrë edhe realizimin e të drejtave të tyre, ndërsa 469 lëndë janë në fazën e rishqyrtimit. Nga procedurat e iniciuara në 683 raste Avokati i popullit konstatoi shkelje të të drejtave të njeriut dhe veproi me qëllim të eliminimit të saj.

Ashtu si në vitet e kaluara edhe në vitin 2022 trendi vazhdoi, në radhë të parë sipas numrit të parashtresave të parashtruara të jetë fusha e jurisprudencës - 534 ose 16.64% e numrit të përgjithshëm, pastaj të drejtat e konsumatorëve -  337 ose 10.50%, marrëdhëniet e punës - 288 ose 8,97%, të drejtat e fëmijëve - 252 ose 7,85%, marrëdhëniet pronësore-juridike - 208 ose 6,48%.
Në vitin raportues, numri më i madh i shkeljeve të konstatuara është në fushën e të drejtave të fëmijëve, pas kësaj vijon fusha e jurisprudencës, gjendjet civile dhe çështje të tjera të brendshme, të drejtat e konsumatorëve etj.

Siç e përmenda edhe më lartë, vitin e kaluar kemi konstatuar më së shumti shkelje te të drejtat e fëmijës, që është një shifër shqetësuese sepse bëhet fjalë për persona të cilët sipas Konventës për të drejtat e fëmijës gëzojnë mbrojtje të veçantë. Në këtë segment, përmes punës me lëndët por edhe hulumtimit të kryer, konstatuam formën më të rëndë të diskriminimit - segregacion në dy shkolla, njëra në Manastir, tjetra në Shtip.Për këtë rast ka aktgjykim nga Gjykata evropiane për të drejtat e njeriut, e cila po ashtu konstatoi shfaqjen e segregacionit, diçka që ishte karakteristike për shekullin e 19-të.

Bëhet fjalë për SHFK "Gjorgji Sugare" - Manastir dhe SHFK "Goce Dellçev" në Shtip, ku konstatuam se ka paralele që përbëhen kryesisht nga fëmijët romë. Në të njëjtën kohë, shkollat shpesh japin pëlqimin për regjistrimin e nxënësve, kryesisht nga bashkësia etnike maqedonase, në shkollat tjera komunale, edhe pse sipas vendbanimit nxënësit i përkasin zonës së shkollave të lartpërmendura. Prindërit të cilët nuk duan që fëmijët e tyre të mësojnë me Romët këmbëngulin për pëlqimin për regjistrimin e fëmijëve të tyre në shkolla të tjera, gjë që praktikisht çon në një numër më të madh të nxënësve Romë në një shkollë dhe në njohjen e të njëjtave si "Shkollat rome".

Së këtejmi, u bëj thirrje këtyre dy komunave që menjëherë të ndalojnë praktikën e dhënies në mënyrë të lehtë të fletlëshimeve nga shkollat dhe të respektojnë rajonizimin sepse procesi i inkluzionit është një nga proceset më të rëndësishme për eliminimin e diskriminimit.

Kur flasim për të drejtat e fëmijëve, doemos më duhet të përmend problemin e (mos) sigurimit të asistentëve arsimorë për nxënësit me aftësi të kufizuara të shkollave të mesme, e cila është gjithashtu pjesë e asaj që quhet arsim inkluziv. Edhe pse paralamëroheshte, Ligji i ri për arsimin e mesëm deri në fund të vitit raportues, nuk u miratua, kështu që asistentët arsimorë në shkollat e mesme komunale siguroheshin me projekt, me përfshirjen e komunave në programin për Punë të dobishme-komunale, ndërsa me mbështetjen e UNDP-së, por për të cilin një numër i madh i komunave nuk janë të interesuara.

Kështu, disa nga nxënësit me aftësi të kufizuara që mësojnë në shkollat e mesme komunale, si dhe ata nga shkollat e mesme shtetërore, kanë mbetur pa mbështetjen e asistentëve arsimorë. Derisa të gjendet një zgjidhje sistemike dhe e përhershme për këtë problem, prindërit do të detyrohen ose të shoqërojnë vetë fëmijët e tyre në shkollë, ose të angazhojnë një asistent/a me shpenzimet e tyre, gjë që bie ndesh si me Konventën për të drejtat e fëmijës ashtu edhe me Konventën për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Prandaj apeloj që ky ligj të miratohet menjëherë, i cili do t'u mundësojë edhe këtyre nxënësve arsim cilësor.

Segmenti i dytë për të cilin do të flas është fusha e financave.

Në bazë të veprimit me lëndët dhe monitorimit të situatës, konkluzioni i përgjithshëm i Avokatit të popullit është se në procedurat për arkëtim të detyrueshëm të borxhit tatimor të papaguar, taksës radiodifuzive, të hyrave të tjera publike dhe gjobave në para, përkatësisht gjobave dhe shpenzimeve të shqiptuara në procedurat kontestimore, penale dhe administrative në dobi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të Drejtorisë për të hyra publike, të Qytetit të Shkupit dhe të komunave, nuk i respektojnë parimet e shpallura me Kushtetutë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve.

Konkretisht, nga këto subjekte, qytetarëve të caktuar u rrezikohet me vite të tëra, si jeta e tyre personale, ashtu edhe ekzistenca e familjeve të tyre, sepse arkëtimin e detyrueshëm e zbatojnë ekskluzivisht me bllokimin e llogarive të transaksioneve të tyre në banka duke ua zbritur tërë shumën nga paga, pensioni, kompensimet nga mbrojtja sociale, papunësia dhe të ngjashme, të cilat i marrin. Rrjedhimisht me këtë, ata mbeten pa mjete elementare për ekzistencë për një periudhë më të gjatë kohore, dhe në mënyrë plotësuese detyrohen t’u paguajnë mjete financiare bankave për zhbllokimin e llogarive të transaksionit.

Në përputhje me të lartpërmendurat, ndërsa me qëllim që në procedurat për arkëtim të detyrueshëm, Drejtoria e të hyrave publike, Qyteti i Shkupit dhe komunat, qytetarëve pa asnjë përjashtim të mos ua zbresin tërë shumën e pagës, pensionit, kompensimeve nga mbrojtja sociale, papunësia etj., si dhe me qëllim të tejkalimit sistemik të situatës së tillë, konform iniciativës së Avokatit të popullit (për informimin tuaj, kërkesa për këto ndryshime/ri-precizimenga ana e Kuvendit është përcaktuar në të gjitha masat e deritanishme, por pa asnjë efekt), kërkoj që menjëherë të miratohen ndryshime dhe plotësime përkatëse në dispozitat e Ligjit për procedurën tatimore dhe Ligjit për tatimet në pronë në drejtim të kufizimit të pjesës e cila u ndalet qytetarëve në emër të borxhit.

Problemi i dytë që do t’a veçoja për vitin e kaluar (për fat të keq, trendi vazhdon edhe këtë vit, kështuqë kemi rritje të fluksit të parashtresave) është zmadhimi i trefisht i tatimit në pronë për vitin 2022, nga ana e Komunës së Ohrit. Gjegjësisht, kjo është bërë pa dhënë arsyetim adekuat në bazë të cilave dhe çfarë informacionesh, faktesh dhe provash është vërtetuar kjo gjendje faktike, e cila ka sjellë një rritje të tillë, sidomos duke pasur parasysh rrethanat nëse tatimpaguesit përkatës nuk i kanë shfrytëzuar apo dhënë me qira shtëpitë ose banesat e tyre për më shumë se gjashtë muaj gjatë një viti. Arsyeja e vetme për këtë rritje është pretendimi se këta qytetarë nuk kanë paraqitur vendbanim të përkohshëm në Ohër, gjegjësisht nuk kanë dërguar kontratë qiraje/frutgëzimi.

Për t’u bërë absurdi edhe më i madh, të gjitha aktvendimet e tilla janë miratuar gjatë muajit mars të vitit 2022, përkatësisht pas vetëm 2 muajsh nga dita e fillimit të zbatimit të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimet në pronë, ngjashëm me këtë, ato bazohen vetëm në supozimin e Komunës së Ohrit se nuk do t’i shfrytëzojnë ose japin me qira patundshmëritë në fjalë, për më shumë se gjashtë muaj gjatë një viti.

Sipas Avokatit të popullit, zbatimi i dispozitave të Ligjit të cekur, nuk ka të bëjë fare me paraqitjen e vendbanimit, por vetëm nëse prona e patundshme nuk shfrytëzohet nga pronari për më shumë se gjashtë muaj gjatë një viti, në një rast ose nëse nuk jepet me qira më gjatë se gjashtë muaj gjatë një viti, në rastin e dytë.

Në fakt, sipas përmbajtjes së dispozitave përkatëse të Ligjit për paraqitjen e vendbanimit dhe vendqëndrimit, për qytetarët ka detyrim ligjor që të paraqesin ndryshimin e vendbanimit, por vetëm nëse dëshirojnë të qëndrojnë më shumë se 30 ditë jashtë vendbanimit të tyre. Së këtejmi, çdo qytetar sigurisht që mund t’a plotësojë kushtin për shfrytëzimin e pronës së patundshme për më shumë se gjashtë muaj gjatë vitit edhe duke qëndruar në Ohër, për periudha më të shkurtra se 30 ditë.

Sugjerimi i Avokatit të popullit për rishqyrtimin e aktvendimeve të miratuara për përcaktimin e tatimit në pronë për vitin 2022, ndërkaq në kontekst të së cilës me siguri do të përcaktohet edhe rrethana nëse e shfrytëzojnë apo e japin me qira pronën e tyre të patundshme, për më shumë se gjashtë muaj gjatë një viti, nga Komuna e Ohrit nuk u pranua me arsyetim formal se aktvendimet e saj mund t’i pezullojë vetëm Gjykata administrative.

Për këtë arsye kërkoj që Komuna e Ohrit menjëherë t’a rishqyrtojë këtë veprim dhe të veprojë sipas sugjerimit të Avokatit të popullit.

Për temën e financave do të veçoj edhe një fenomen i cili mua si avokat i popullit më brengos - puna e shoqërive financiare, për të cilat edhe pse nuk kemi kompetencë të drejtpërdrejtë (qytetarët kanë parashtruar parashtresa), megjithatë kërkoj nga institucionet menjëherë të fillojnë me ndryshimin e rregullores ligjore.

Gjegjësisht, të gjithë jemi dëshmitarë të reklamave agresive për kreditë shpejta pa kamatë, të cilat i ofrojnë një numër i madh i shoqërive financiare në të gjithë Republikën, me procedurë për marrjen e tyre që bëhet edhe në mënyrë elektronike, duke dhënë kredi për mbylljen e një kredie të parapaguar në të njëjtën shoqëri financiare, ndërkaq në mungesë të kontrollit dhe mbikëqyrjes efikase të punës së tyre, si dhe rrethana që në ligjin i cili e rregullon këtë materje, nuk ka kufizime të shpenzimeve të përgjithshme, kompensimeve dhe provizioneve të kredive të miratuara nga shoqëritë financiare, as detyrimin që doemos të publikojnë në mënyrë transparente listën tarifore me kompensimet - në faqen e tyre të internetit ose në një vend të dukshëm në ambientet e punës.

Që të ketë publiku një pasqyrë të qartë për atë që po flas, do t’a ilustroj me një shembull. Kredi e marrë 9.000,00 denarë, për vonesë në pagesën e tij, vërtet si në reklamat, nuk arkëtohet kamata, mirëpo arkëtohen shpenzimet e tjera të mëdha. Kështu për shembullin konkret në emër të kompensimit të llogaritur janë arkëtuar 2.026,00 denarë, për kompensimin për vonesë deri 58.846,00 denarë, dhe kur kësaj i shtohet shuma për paralajmërimin e dërguar 5.900,00 denarë, borxhi e arrinë shumën prej 75.772,00 denarë, që është një shumë tetë herë më e madhe se borxhi kryesorë.

Për shkak se me rregulloren aktuale ligjore, qytetarët që janë shfrytëzues të këtyre kredive të shpejta futen në borxhe të mëdha, kërkoj që menjëherë të fillohet me ndryshimin e saj me qëllim që qytetarët të mos dëmtohen në mënyrë të përsëritur gjatë kthimit të kredive.

Të nderuar,

Vitin e kaluar konstatuam shkelje të të drejtave të mësimdhënësve në procedurën e transformimit të marrëdhënies së punës nga ana e autoriteteve lokale dhe inspektoratit shtetëror arsimor.

Kështuqë, realizimi i të drejtës për transformimin e marrëdhënies së punës nga koha e caktuar në kohë të pacaktuar të punës të mësimdhënësve në shkollat fillore dhe të mesme është penguar pothuajse nga të gjitha autoritetet lokale në vend. Kryetarët e komunave e zvarrisnin procedurën dhe nuk miratonin Aktvendime për formimin e Komisioneve të reja për transformimin e marrëdhënies së punës në arsim.

Pas intervenimit këmbëngulës në fjalë të Avokatit të popullit ( dërgoheshin Urgjenca dhe Urgjenca të përsëritura), më në fund u formuan Komisionet, por më pas u shfaq një problem tjetër - Komisionet nuk caktonin seanca, ose në seancë nuk i shqyrtonin të gjitha rastet, por në mënyrë selektive vetëm disa prej tyre.

Avokati i popullit, për shkak të mosveprimit ndaj sugjerimeve të dërguara deri te Komisionet dhe Kryetarët e komunave, ka dërguar Sugjerime për shkelljet e konstatuara të të drejtave të parashtruesve të parashtresave pranë Inspektoratit shtetëror arsimor Shkup (për shkak se kryetarët e Komisioneve janë përfaqësues nga Inspektorati i arsimit), si dhe pranë Ministrisë së arsimit dhe shkencës, me kërkesë për ndërmarrjen e veprimeve dhe masave efektive ndaj Komisioneve komunale për transformimin e marrëdhënies së punës në arsim dhe ndalimin e shkeljes së të drejtës së mësimdhënësve për transformimin e marrëdhënies së punës. Ministria e dërgoi Sugjerimin deri te Inspektorati shtetëror arsimor, por ndaj asnjë Sugjerimi nuk u veprua, me çka edhe Inspektorati shtetëror arsimor kontribuoi dhe lejoi shkeljen e të drejtës së mësimdhënësve nga ana e autoriteteve lokale.

Duke marrë parasysh faktin se këtyre personave u janë shkelur të drejtat, kërkoj që autoritetet lokale dhe inspektorati të veprojnë menjëherë sipas sugjerimeve të Avokatit të popullit dhe t’ua transformojnë marrëdhënien e punës.

Në fund të vitit raportues, duke marrë parasysh rëndësinë dhe seriozitetin e çështjes për sigurimin e terapisë në kohë (të rregullt), të përshtatshme dhe bashkëkohore për personat me fibrozë cistike, Avokati ipopullit me një Informatë të veçantë u drejtua deri te Qeveria, dhe shprehu mendimin se është e nevojshme të merren parasysh të gjitha arritjet bashkëkohore në këtë fushë gjatë hartimit dhe miratimit të Programit të ri për sëmundjet e rralla për vitin 2023, por edhe të respektohen kërkesat e parashtruara nga Shoqata për fibrozën cistike. Në të njëjtën kohë, Avokati i popullit kërkoi që Qeveria, përmes Ministrisë së Shëndetësisë, të angazhohet për një aktivitet më të madh të Komisionit për sëmundje të rralla, i cili përmes analizave profesionale të anëtarëve të tij, duhet të kontribuojë për sigurimin e trajtimit të duhur mjekësor dhe sigurimin e barnave përkatëse për të gjithë pacientët, me të cilat do t’ua lehtësojë situatën dhe do të mundësohet funksionimi i personave me sëmundje të rralla.

Kur bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor dhe duke pasur parasysh faktin se lista ekzistuese pozitive e barnave nuk është rishikuar prej disa vitesh – ndërkohë janë paraqitur barna të reja me komponentë më efektivë në trajtimin dhe kurimin e pacientëve, rekomandoj të fillojë procedura e rishikimit të listës së barnave që do të paraqiste avancimin e kujdesit ndaj qytetarëve, të cilët për problemet e tyre shëndetësore kanë të drejtën e barnave dhe pajisjeve mjekësore më efektive bashkëkohore, të cilat do të mund t'i sigurojnë me recetë.

Fatkeqësisht edhe vitin e kaluar qytetarët u ballafaquan me zvarritjen e procedurave gjyqësore, joefikasitetin e Gjyqësorit administrativ, sistemi i burgjeve edhe mëtej mbetet hallkë e dobët në çdo aspekt – ambientet akomoduese, mbrojtja  shëndetësore, qytetarët para Drejtorisë për udhëheqjen e evidencës amë, me të cilën kemi përmirësuar bashkëpunimin, edhe mëtej udhëheqin procedura afatgjata për realizimin e të drejtave të tyre, ndërkaq nuk janë rregulluar as situatat me komisionet mjekësore të cilat vendosin për të drejtat e ndihmës dhe kujdesit nga një person tjetër, ndaj qytetarët janë të detyruar të presin me muaj për realizimin e kësaj të drejte.

Të gjithë e dini se vitin e kaluar dërguam tre iniciativa për ndryshime të rregullores, për të cilën konstatuam se po krijon probleme për qytetarët dhe tani do t'ju informoj shumë shkurt se çfarë është rezultati nga të njëjtat.

Përkatësisht, shfrytëzoj rastin të theksoj se nuk jam i kënaqur me qëndrimin e Qeverisë ndaj iniciativës së paraqitur për ndryshime ligjore në pjesën e arkëtimit të kamatës ndëshkimore në procesin e përmbarimit - Ligjit për marrëdhëniet obligative dhe për përmbarimin në drejtim të asaj se kur kamata ndëshkimore do të arrijë borxhin kryesor, të ndal rrjedhën për arsye se zgjidhjet aktuale i vendosin qytetarët në ,,skllavëri borxhi’’. Kjo për arsye se Qeveria e ka dërguar iniciativën pranë grupit punues i cili punon në kodifikimin e Kodit civil, proces ky që zgjatë tashmë një dekadë dhe pyetja është kur do të përfundojë. Prandaj do të kërkoj që e njejta të shqyrtohet nga Qeveria dhe nga Ministria përkatëse e drejtësisë, e dërguar pranë parlamentit dhe u bëj thirrje deputetëve t’i votojnë këto ndryshime, të gjitha me qëllim të tejkalimit të situatës siç e përmenda ,,skllavëri borxhi’’në të cilën po bien qytetarët me mënyrën aktuale të llogaritjes së kësaj kamate.

Por, krahas kësaj dua të theksoj bashkëpunimin e mirë që kemi pasur me Komisionin rregullativ për energjetikë dhe shërbime të ujit në pjesën e ndryshimit të rregullores sa i përket periudhës kohore të leximit të njehsorëve për energjinë e konsumuar elektrike, që në vend të një herë në vit, tani bëhet çdo tremuaj, me synimin që kjo të kalojë në një herë në muaj.

Gjithashtu, kisha dashur të shpreh kënaqësi nga vendimi i miratuar i Gjykatës Kushtetuese për abrogimin e nenit 44 paragrafit 2 të Ligjit pë mbrojtje sociale, për të cilin qysh para dy viteve konstatoi se është diskriminues. Duke vepruar sipas ankesave të qytetarëve të prekur dhe sipas lëndëve me vetiniciativë në lidhje me pamundësinë e realizimit të së drejtës për kompensim për shkak të aftësisë së kufizuar tek personat me aftësi të kufizuara që aplikojnë për herë të parë për këtë të drejtë ndërsa janë mbi 65 vjeç, Avokati i popullit dorëzoi Iniciativë tek Ministrisa e punës dhe politikës sociale për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtje sociale.

Mandej, sugjeroi për diskriminimin në bazë të moshës gjatë qasjes dhe realizimit të së drejtës për kompensim për shkak të aftësisë së kufizuar, ndërsa në mbështetje të Iniciativës, e dorëzoi edhe Raportin e posaçëm nga hulumtimi në lidhje me të drejtën për kompensim në të holla për shkak të aftësisë së kufizuar për periudhën 2020/2021, i cili vërtetoi se gjatë periudhës së hulumtimit janë refuzuar gjithsej 23 kërkesa për kompensim për shkak të aftësisë së kufizuar, ndërsa për asrye të moshës 65 vjeçare. Rrjedhimisht me këtë, Avokati i popullit rekomandoi që ministria përkatëse të marrë masa për vendosjen e një regjimi ligjor për zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë qytetarët, pa dallim të moshës. Duke pasur parasysh se për të njëjtin problem ishte iniciuar një procedurë edhe para gjykatës kompetente për vlerësimin e kushtetutshmërisë së kësaj dispozite të ligjit, Avokati i popullit kërkoi që procedura të përditësohet, sipas së cilës Gjykata Kushtetuese në fillim të dhjetorit mori vendim me të cilin e anuloi dispozitën kontestuese.

Sa i përket iniciativës së tretë, sipas informacioneve tona është duke u zhvilluar procedura për ndryshimin e rregullores ligjore e cila ka të bëjë me akomodimin e të miturave (iniciativë të cilën e dërguam vitin e kaluar), të cilat në të ardhmen në vend se të akomodohen në ENK/INK,,Idrizovë” do të akomodohen në Entin edukues-korrektues Tetovë-Vollkovi. Me këtë do të zgjidhet problemi të cilin e kishin – kushtet e këqija për qëndrim, pamundësia për të realizuar mbrojtjen shëndetësore, mungesa e procesit arsimor, risocializimi, kontaktet me femrat e dënuara, përkatësisht nuk do të diskriminohen krahas të miturve.

Sinqerisht shpresoj që ky raport të mos ketë fatin e raportit të mëparshëm (ai i vitit 2021) i cili nga ana e deputetëve u shqyrtua vetëm pak ditë më parë, veprim absurd që e zhvlerëson në një farë mënyre zgjidhjen ligjore, e cila rezultoi pikërisht për shkak të faktit se nuk u respektuan rekomandimet e përgjithshme të Avokatit të popullit, sipas të cilave, pas shqyrtimit të raportit, Kuvendi përcakton masa, të cilat i dërgohen Qeverisë, e cila, nga ana tjetër, ka për detyrë të raportojë dy herë në vit se sa prej tyre janë zbatuar, përkatësisht sipas sa prej tyre është vepruar, me qëllim të eliminimit të shkeljeve të konstatuara dhe përmirësimit të situatës me respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Ju falënderoj

Avokati i Popullit Naser Ziberi

Foto/video: MIA

__________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

 

QËNDRONI TË LIDHUR