• e hënë, 23 dhjetor 2024

Prezantohen provat materiale për rastin Pendikov, seanca e radhës e caktuar më 31 maj

Prezantohen provat materiale për rastin Pendikov, seanca e radhës e caktuar më  31 maj

Ohër, 5 prill 2023 (MIA) - Me paraqitjen e provave materiale dhe shkresore sot përfundoi seanca e parë e shqyrtimit kryesor në procesin që po zhvillohet para Gjykatës Themelore në Ohër kundër Ilija Spaseskit, i akuzuari i parë për sulmin ndaj Hristijan Pendikov, sekretar i klubit bullgar në Ohër.

Paraprakisht përfaqësuesi i Prokurorisë ka lexuar aktakuzën, sipas të cilës i pandehuri i parë në këtë rast akuzohet për veprën penale “plagosje e rëndë”, për të cilën i akuzuari Spaseski u deklarua i pafajshëm.

Përfaqësuesi i mbrojtjes, avokati Dimitria Coboski, para Gjykatës dha një shpjegim të shkurtër në lidhje me aktakuzën në të cilën tha se mbrojtja nuk konteston se viktima është lënduar në mbrëmjen kritike, por se në procedurën e provave do të të arrijnë të bindin Gjykatën se nuk ka asnjë provë materiale që vërteton në mënyrë të padiskutueshme se i akuzuari i parë është autori i krimit dhe nuk ka prova të gjuhës së urrejtjes në veprën penale, siç kërkon të imponojë Prokuroria.

"Ka të dhëna të ndryshme mes asaj që pretendohet në aktakuzë, asaj që thuhet në procesverbalin e pranimit të kallëzimit, asaj që thuhet në deklaratën e të dëmtuarit dhënë televizionit bullgar. Por, bëhet fjalë për procedurën e provave, për të cilën do të thuhet më shumë gjatë prezantimit të provave të mbrojtjes", tha Coboski pas përfundimit të seancës së sotme.

Coboski theksoi se detyra mbetet për atë që pretendon se i akuzuari është fajtor, duhet ta dëshmojë në mënyrë të padiskutueshme.

"I keni parë edhe regjistrimet kur prokurori thotë se mendon se i akuzuari është ai që ka kryer krimin. Askush nuk duhet të mendojë kush është kush, por duhen prova nga të cilat padiskutim mund të vërtetohet fajësia. Mendimi i prokurorit nëse dikush është apo jo nuk mjafton që dikush të shpallet fajtor", theksoi ai.

Përfaqësuesi i mbrojtjes gjatë seancës së sotme ende këmbënguli se i dëmtuari nuk është bullgar, gjegjësisht se nuk ka shtetësi bullgare, por është shtetas i Maqedonisë.

Përfaqësuesi i të dëmtuarit Pendikov, avokati Stefan Kamishevski, para Gjykatës sqaroi se klienti i tij nuk ka marrë pjesë në seancën e sotme gjyqësore për arsye shëndetësore. Ai ka thënë se Hristijan Pendikov me siguri do të paraqitet në Gjykatë pas përfundimit të trajtimit dhe se tani është në gjendje më të mirë shëndetësore.

Sa i përket vetë procedurës, ai tha se synohet të përcaktohet se çfarë ka ndodhur në ngjarjen kritike.

"Sipas videos, shihet se dy persona rrahin një person. Në fund të fundit, procedura është edhe për atë, për të përcaktuar të vërtetën, çfarë ka ndodhur në ngjarjen kritike. Cilët persona cilin person e kanë rrahur", tha Kamishevski, pa konfirmuar nëse viktima do të paraqitet në seancën e ardhshme.

Gjyqtari Bojan Martinoski, i cili e udhëheq procesin, seancën e radhës e caktoi për  më 31 maj, kur do të thirren për të dëshmuar persona ekspertë nga fusha e mjekësisë dhe teknologjisë informatike, si dhe tre dëshmitarë.

Ngjarja me Hristijan Pendikov ka ndodhur më 19 janar në një bar kafe në kejin e liqenit të Ohrit në Ohër.

Në këtë proces, i dëmtuari ka paraqitur kërkesë për dëmshpërblim në të holla, sipas peshës së lëndimeve të të dëmtuarit në veprën penale. sa/

foto/MIA

QËNDRONI TË LIDHUR