• e martë, 27 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim delegacionin e Asamblesë Kombëtare të Francës

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim delegacionin e Asamblesë Kombëtare të Francës

Prishtinë, 8 prill 2025 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim një delegacion të deputetëve të Asamblesë Kombëtare të Francës.

Siç bëhet e ditur në kumtesën e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës (ZPRK), presidentja Osmani u shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë e deri tek përpjekjet e përbashkëta për avancimin e synimeve euroatlantike.

Ajo theksoi rëndësinë strategjike të marrëdhënieve me Francën dhe rolin e saj kyç në konsolidimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Duke folur për sfidat e sigurisë në rajon, Osmani vuri theksin në tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të Kosovës dhe të gjithë rajonit. Ajo theksoi se këto tendenca të Serbisë janë të qëllimshme dhe të koordinuara, duke përmendur sulmin e agresionit në Banjskë, sulmet dhe plagosjen e ushtarëve të KFOR-it nga bandat serbe, si dhe sulmet e vazhdueshme terroriste të dirigjuara dhe mbështetura nga Beogradi.

Në kontekstin e dialogut me Serbinë, Osmani potencoi  mungesën e vullnetit të Serbisë për zbatim të marrëveshjeve të arritura, duke e konsideruar këtë si një pengesë serioze për përparimin e dialogut dhe për stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.

Më tej, Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap vendimtar për avancimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët pa dallim. Ajo theksoi se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është garanci për mbrojtjen e lirive themelore dhe për rritjen e standardeve demokratike në vend, ndërsa shtroi nevojën e mbështetjes së Francës në këtë proces.

Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë në anën e vlerave euroatlantike dhe do të punojë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e saj. fc/

Foto: Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës 

QËNDRONI TË LIDHUR