Presidentja e Kosovës, Osmani-Sadriu e vizitoi Tetovën, bisedoi me kryetarin e Komunës, Kasami
- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu sot ishte për vizitë zyrtare në Komunën e Tetovës. Vizitën e filloi me takim në ndërtesën e komunës me kryetarin, Bilall Kasami, i cili simbolikisht ia dorëzoi çelësin e Qytetit të Tetovës.
- Post By Besnik Shuki
- 15:43, 27 prill, 2023
Tetovë, 27 prill 2023 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu sot ishte për vizitë zyrtare në Komunën e Tetovës. Vizitën e filloi me takim në ndërtesën e komunës me kryetarin, Bilall Kasami, i cili simbolikisht ia dorëzoi çelësin e Qytetit të Tetovës.
Kasami në konferencë për shtyp tha se për herë të parë, si në nivel të shtetit, ashtu edhe në Tetovë vjen për vizitë zyrtare presidentja e Republikës së Kosovës.
Ai tha se si qytetarë, si tetovarë janë të nderuar nga vizita e saj dhe kontributi në përmirësimin e bashkëpunimit mes dy vendeve miqësore dhe fqinje.
Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës, sipas Kasamit, historikisht kanë marrëdhënie të afërta edhe më herët në kuadër të Jugosllavisë, edhe tani.
"Janë mes shteteve në Ballkan që nuk kanë kurrfarë probleme mes vete, por janë shembull se si duhet të zhvillohen marrëdhëniet mes dy shteteve. Po ashtu Tetova, si një nga qytetet krysesore të Maqedonisë, qyteti më i rëndësishëm pas Shkupit, ku shumica e qytetarëve janë shqiptarë, është ura e bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Kosovës", tha mes tjerash Kasami.
Presidentja e Kosovës tha se nga Tetova kanë filluar shumë procese historike për popullin shqiptar, jo vetëm për atë që jeton në këtë qytet, por edhe nga shtetet fqinje.
"Tetova dhe Kosova kanë histori shumë të përbashkët dhe bashkëpunim të frytshëm dhe vëllazëror. Edhe sot lidhjet tona janë të fuqishme. Shumë të rinj nga ky qytet, kanë studiuar dhe studiojnë në universitetet tona dhe anasjelltas. Vizita ime në RMV është edhe një dëshmi për kontributin që shqiptarët e kanë dhënë në shtetformimin e RMV-së dhe për eurointegrimet, për bashkëpunimin tonë dhe marrëdhëniet miqësore mes dy shteteve, të cilat, e sigurtë jam se do të thellohen në të ardhmen. Kosova çdoherë do t'u jetë falënderuese qyterarëve të vendit të Juaj për ndihmën dhe përkrahjen e pakushtëzuar që e kanë dhënë për qytetarët e Kosovës", tha Vjosa Osmani-Sadriu. bsh/
Foto: MIA