• e hënë, 23 dhjetor 2024

Presidenti Pendarovski ia dorëzoi mandatin Talat Xhaferit për Qeverinë teknike

Presidenti Pendarovski ia dorëzoi mandatin Talat Xhaferit për Qeverinë teknike

Shkup, 26 janar 2024 (MIA) - Presidenti Pendarovski sot ia dorëzoi mandatin Talat Xhaferit për përbërjen e Qeverisë teknike e cila do të funksionojë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re që do të formohet pas zgjedhjeve parlamentare.

Pas marrjes së mandatit, Xhaferi premtoi se në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës, negociatat për përbërjen e Qeverisë kalimtare do të zhvillohen sipas nevojës politike dhe gjendjes në shtet.

"Me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë pranoj mandatin nga presidenti i shtetit, me një premtim se me ndërgjegje dhe në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës, përbërja e Qeverisë dhe negociatat për përbërjen e Qeverisë do të zhvillohen në pajtim me nevojën politike dhe situatën në vend", tha Xhaferi.

Ai shtoi se shpreson të krijojë një përbërje të përshtatshme të Qeverisë me obligime, kompetenca dhe përgjegjësi të duhura ndaj qytetarëve.

Kuvendi, në kuadër të seancës së 139-të, sot konfirmoi dorëheqjet e kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, ndërsa në kuadër të seancës deputeti Jovan Mitreski nga LSDM u zgjodh kryetar i Kuvendit.

Seanca për zgjedhjen e Qeverisë teknike, përbërja e së cilës tashmë dihet, duhet të caktohet për të dielën, 28 janar. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR