• e hënë, 23 dhjetor 2024

Presidenti kinez Si Xhinping sonte do të arrijë për vizitë dyditore në Beograd

Presidenti kinez Si Xhinping sonte do të arrijë për vizitë dyditore në Beograd

Beograd, 7 maj 2024 (MIA) - Për vizitë zyrtare në Serbi sonte do të arrijë presidenti kinez, Si Xhinping, me delegacion prej 400 anëtarëve, gjatë së cilës do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

Përveç informatës se vizitën e presidentit kinez do ta sigurojnë 4.500 policë, pak hollësira nga agjenda janë të njohura, ndërsa një numër i madh i gazetarëve të vendit dhe të huaj në Beograd nuk kanë marrë akreditim për ndjekjen e kësaj ngjarje me pretekst për "numër të kufizuar të mediumeve dhe parimin e reciproicitetit me delegacionin e mysafirëve". Ngjarja mund ta ndiqet përmes RTS-së ose Tanjugut.

Si vjen në Beograd në kuadër të vizitës së tij të parë në Evropë në pesë vitet e fundit, në kuadër të së cilës ai qëndroi edhe në Francë, ndërsa nesër do të udhëtojë për në Hungari.

Pritet që Si dhe Vuçiq të bisedojnë për tema politike, ekonomike dhe teknologjike, deri në bashkëpunimin në sferën e kulturës.

Para vizitës së dytë zyrtare të presidentit kinez në Serbi në tetë vitet e fundit, Vuçiq deklaroi se Kina "është partneri më i mirë" i Beogradit në realizimin e qëllimeve kombëtare, duke thënë se presidenti kinez "është njeriu më i fuqishëm në botë". bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR