• e premte, 05 dhjetor 2025

Presidenti iranian hodhi poshtë spekulimet për një takim me Trampin

Presidenti iranian hodhi poshtë spekulimet për një takim me Trampin

Teheran, 23 shtator 2025 (MIA) - Presidenti iranian Masud Pezeshkijan sot hodhi poshtë zërat për një takim të mundshëm me presidentin amerikan Donald Tramp, në deklaratën e dhënë pak para nisjes së tij për në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së në Nju Jork.

Pezeshkijan tha se është për dialog dhe mirëkuptim në marrëdhëniet ndërkombëtare, njoftoi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA.

"Por, nuk mund të negociohet me dikë që dëshiron të tregojë forcë, të tiranizojë, të shkatërrojë dhe të shkaktojë dëme", shtoi ai, pa e përmendur drejtpërdrejt Trampin.

Marrëdhëniet mes Iranit, SHBA-së dhe Evropës janë në nivel më të ulët në vitet e fundit pas luftës 12-ditore në qershor, kur Izraeli, së bashku me SHBA-në, sulmoi objekte kyçe bërthamore në Republikën Islamike.

Para luftës, Teherani dhe Uashingtoni negociuan për më shumë se dy muaj rreth programit bërthamor iranian, por bisedimet ngecën.

Mosmarrëveshja bërthamore u përshkallëzua diplomatikisht pas luftës, kur qeveria iraniane përkohësisht e ndërpreu bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB).

Ministri iranian i Punëve të Jashmte, Abas Aragçi, dje në Nju Jork u takua me drejtorin e ANEB, Rafael Gros. Para dy javësh, dy diplomatë ranë dakord në Kajro për planin për rifillimin e inspektimeve bërthamore. qa/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR