Presidenti iranian e nënshkroi dekretin për pezullimin e bashkëpunimin me ANEB-in
- Presidenti iranian Masud Pezeshkian e ka nënshkruar dekretin për pezullimin e bashkëpunimit midis Iranit dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthmore (ANEB), njoftoi agjencia e lajmeve Tasnim.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 10:39, 2 korrik, 2025
Teheran, 2 korrik 2025 (MIA) - Presidenti iranian Masud Pezeshkian e ka nënshkruar dekretin për pezullimin e bashkëpunimit midis Iranit dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthmore (ANEB), njoftoi agjencia e lajmeve Tasnim.
"Pezeshkian lëshoi dekret për pezullimin e bashkëpunimit me ANEB-in", thuhet në kumtesë.
Agjencia deklaron se, pas sulmeve izraelite dhe amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit, deputetët miratuan një ligj të titulluar "Pezullimi i bashkëpunimit të Republikës Islamike me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore me kërkesë për dy masa urgjente".
Një nen i ligjit thotë se, "duke pasur parasysh shkeljen e sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial të Iranit nga ana e regjimit sionist dhe SHBA-së në lidhje me impiantet bërthamore paqësore të vendit dhe kërcënimin ndaj interesave supreme të Iranit, bazuar në nenin 60 të Konventës së Vjenës për marrëveshje të vitit 1969, qeveria është e detyruar të pezullojë menjëherë çdo bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore në bazë të Marrëveshjes për mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) dhe masat e saj mbrojtëse, derisa të përmbushen kushte të caktuara, duke përfshirë sigurimin e sigurisë së impiantit dhe shkencëtarëve".
Foto: Arkivi i MIA-s