• e premte, 22 nëntor 2024

Presidenti i Izraelit, Isak Hercog për vizitë në Tiranë, e para e një shefi të shtetit izraelit

Presidenti i Izraelit, Isak Hercog për vizitë në Tiranë, e para e një shefi të shtetit izraelit

Tiranë, 12 shtator 2024 (MIA) - Pas qëndrimit të djeshëm në Beograd, presidenti izraelit Isak Hercog, sot ka arritur në Tiranë, që është vizita e parë e një presidenti izraelit në Shqipëri.

Me të gjitha nderimet shtetërore, ai u prit nga nikoqiri, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, pas çka ralizuan një takim, në të cilin, siç kumtuan nga kabineti i tij, të dy shtetarët diskutuan për bashkëpunimin dypalësh, zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kosovën, situatën në Lindjen e Afërt dhe çështjet e sigurisë kibernetike.

"Presidenti Begaj e vlerësoi këtë vizitë si mundësi të shkëlqyer për të gjetur mundësi të reja për të përforcuar bashkëpunimin, duke shprehur përkushtimin e tij dhe të Shqipërisë për këtë plan. Shqipëria dhe Izraeli, tha ai, janë vende mike që ndajnë momente historike, që i bashkojnë përgjithmonë. Secili shqiptar është krenar kur kujton mbrojtjen e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore", tha Begaj, qëndron në kumtesë.

Sipas tij, shqiptarët e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor ndajnë të njëjtat ndjenja dhe, në këtë pikëpamje, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli është një vendim shumë i rëndësishëm gjeopolitik, me ndikim pozitiv rajonal.

Në lidhje me zhvillimet në Ballkan, Begaj vlerësoi se për shkak të pozitës gjeopolitike, rajoni është i prekshëm nga kërcënimet, duke përfshirë terrorizmin dhe ekstremizmin, migrimin, kërcënimet hibride, sigurinë kibernetike dhe praninë e aktorëve të tretë destabilizues.

Ai përcolli mirënjohjen e Shqipërisë ndaj Izraelit për kontributin në rritjen e aftësive të mbrojtjes kibernetike në rrethana shumë të vështira dhe kritike, pas sulmeve kibernetike të Iranit në vitin 2022.

Gjatë takimit, shefat e dy shteteve diskutuan për zhvillimet në rajonin e Lindjes së Afërt, për të cilat presidenti i Republikës konfirmoi qëndrimin se "Shqipëria dënon fuqishëm dhe pa mëdyshje sulmet terroriste të 7 tetorit të vitit 2023 nga Hamasi kundër Izraelit".

"Kjo është e paprecedentë dhe me asgjë nuk mund të justifikohet", tha Begaj, duke theksuar se Shqipëria dënoi ashpër rrëmbimin e civilëve, grave, të moshuarve dhe fëmijëve dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të civilëve të pafajshëm.

Presidenti Bajram Begaj, konfirmoi se Shqipëria mbështet plotësisht planin e parashtruar nga presidenti amerikan, Xho Bajden, i cili do të sjell një armëpushim të përhershëm në Gazë, lirimin e të gjithë pengjeve, rritjen e ndihmave humanitare për Gazën, si dhe bisedimet diplomatike, si dhe mundësinë e vetme që çon në zgjidhjen e situatës.

Presidenti izraelit sot pasdite do të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR