Presidenti i Finlandës: Për dy javë kemi arritur më shumë përparim drejt paqes në Ukrainë sesa për tre vjet e gjysmë
- Në dy javët e fundit është arritur përparim më i madh drejt përfundimit të luftës në Ukrainë sesa në tre vjet e gjysmë të fundit, deklaroi presidenti i Finlandës, Aleksander Stub, në takimin në Shtëpinë e Bardhë me presidentët e SHBA-së dhe Ukrainës, me liderët evropian dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s.
- Post By Qefsere Abduli
- 07:36, 19 gusht, 2025
Uashington, 19 gusht 2025 (MIA) - Në dy javët e fundit është arritur përparim më i madh drejt përfundimit të luftës në Ukrainë sesa në tre vjet e gjysmë të fundit, deklaroi presidenti i Finlandës, Aleksander Stub, në takimin në Shtëpinë e Bardhë me presidentët e SHBA-së dhe Ukrainës, me liderët evropian dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s.
"Fakti që sot ulemi së bashku rreth kësaj tryeze ka simbolikë të fortë dhe tregon se jemi një ekip - 'Evropa' dhe 'Shtetet e Bashkuara të Amerikës' - të cilët qëndrojnë pas Ukrainës", tha Stub, ku fjalimi u transmetua drejtëpërdrejtë.
Ai theksoi se edhe pse Finlanda është vend i vogël, ajo ka kufi të gjatë me Rusinë dhe përvojë historike nga dy luftërat kundër Bashkimit Sovjetik në shekullin e 20-të.
"Kemi gjetur zgjidhje në vitin 1944 dhe jam i sigurt se do të gjejmë zgjidhje edhe në vitin 2025 për ta parandaluar agresionin ushtarak rus dhe të arrijmë paqe të përhershme dhe të drejtë", theksoi presidenti finlandez.
Në takimin e mbrëmshëm në Shtëpinë e Bardhë mori pjesë edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, kancelari gjerman, Fridrih Merc, kryeministrja italiane, Xhorxha Meloni, presidenti francez, Emanuel Makron dhe kryeministri britanik, Kir Starmer. qa/
Foto: EPA