• e hënë, 23 dhjetor 2024

Politiko: Kryeministri hungarez në një letër dërguar BE-së i përsërit qëndrimet e Putinit për Ukrainën

Politiko: Kryeministri hungarez në një letër dërguar BE-së i përsërit qëndrimet e Putinit për Ukrainën

Bruksel, 10 korrik 2024 (MIA) - Kryeministri hungarez Viktor Orban në një letër dërguar kryetarit të Këshillit Evropian, Sharll Mishell, i përsërit qëndrimet e presidentit rus Vladimir Putin për Ukrainën, njofton portali i Brukselit Politiko.

Në letrën, të cilën dje e ka parë Politiko, Orbani në aq shumë hollësi i parashtron mendimet e Putinit për statusin e luftës në Ukrainë që mund të mendohet se po përgatitet për rolin e zëdhënësit të Kremlinit, bën të ditur portali.

Letra, drejtuar kryetarit  të Këshillit Evropian, Sharll Mishell dhe e ndarë me anëtarët e tjerë të Këshillit Evropian, parashtron mendimet e Putinit për statusin e luftës në Ukrainë dhe rekomandimet që Orban thotë se BE-ja duhet të marrë. Letra është kulmi i një jave të diplomacisë maniake, gjatë së cilës Orbani vizitoi Kievin, më pas Moskën dhe Pekinin, në një mision të vetëshpallur për paqen në Ukrainë, disa ditë pasi Hungaria mori presidencën e rradhës të Këshillit të BE-së, shkruan Politiko.

Orbani i ka thënë Mishellit se, sipas Putinit, "koha nuk është në anën e Ukrainës, por në anën e forcave ruse", pa bërë të ditur dëshmi për analizën e tillë të fushëbetejave. 

Letra, me datë më 5 korrik dhe e ndarë në nëntë pika, gjithashtu nuk bën kurrfarë reference se Putini e filloi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. 

Orbani - i cili mohon se artikulon "çfarëdo lloj qëndrimi në emër të Këshillit Evropian ose Bashkimit Evropian" gjatë vizitës së tij në Moskë - ka vazhduar të tregojë se "pala ruse vlerëson se humbjet mujore dhe viktimat e forcave ukrainase janë  40-50 mijë ushtarë", pa përmendur humbje ruse në luftë.

Ai shtoi se Moska është "e gatshme të shqyrtojë çfarëdo lloj propozimi për armëpushim që nuk i shërben zhvendosjes dhe riorganizimit të fshehur të forcave ukrainase", pa sqaruar më tutje se çka Putini ka menduar me këtë. 

Në raportin për takimin, Orbani thotë se i ka thënë Putinit se "shumë persona thonë se është në interes të Evropës të kthehet në periudhën e rritjes ekonomike të bazuar në paqen e përhershme sa më shpejtë që është e mundur", duke shtuar: "Mundësia për paqe është ulur nga fakti se kanalet diplomatike janë bllokuar dhe nuk ka dialog të drejtpërdrejtë mes palëve të cilat kanë rol udhëheqës në krijimin e kushteve për paqe".

BE-ja dhe liderët e saj në masë të madhe e ndërprenë komunikimin me Moskën për shkak të sanksioneve të shumta të vendosura nga blloku kundër Rusisë pas pushtimit. 

Ambasadorët e BE-së në Bruksel sot do të bisedojnë për udhëtimet e Orbanit. "Nëse brifingu ecën në ton të njëjtë si edhe kjo letër, ai do të jetë takim i këndshëm", tha në mënyrë sarkastike një diplomat i BE-së, i cili kërkoi që të jetë anonim që ta diskutojë këtë temë të ndjeshme për Politiko. "Asgjë, por asgjë nga të gjitha përpjekjet e Këshillit Evropian gjatë 2,5 vitet e fundit nuk reflekton në këtë". 

Në pikën e tetë të letrës, Orbani ka shkruar se beson se armëpushimi dhe bisedimet paqësore janë ende të mundshme, por shtoi se "gjatë dy muajve të ardhshme do të shohim humbje më dramatike dhe zhvillime ushtarake të fronteve se sa që kemi parë deri më tani", nëse lufta nuk ndalet. 

Ai pastaj ka përfunduar se Evropa duhet të ndërmarrë rol udhëheqës në përpjekjet për arritjen e paqes në Ukrainë, sepse SHBA-ja është gjithnjë e më shumë e drejtuar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në nëntor.

"Udhëheqësia politike e siguruar nga SHBA-ja është e kufizuar për shkak të fushatës zgjedhore aktuale", ka shkruar Orbani. "Për këtë nuk mund të presim kurrfarë propozimi të tillë nga SHBA-ja në muajt e ardhshëm. Duhet të mendojmë - në frymën e autonomisë strategjike evropiane - të fillojmë nismë evropiane". 

Misioni i Orbanit, të paktën përsa i përket përfundimit të luftës, nuk ka gjasa të ketë sukses. Të hënën, pasi forcat ruse bombarduan një spital për fëmijë në Kiev, presidenti ukrainas Volodomit Zelenski dënoi përpjekjen e tij për të ndërmjetësuar me Kremlinin. Megjithatë, kjo nuk ka gjasa të pengojë liderin hungarez, raporton Politiko.

Orbani e përfundoi letrën me: "Do të vazhdoj me bisedimet për sqarim të mundësive për paqe javën e ardhshme". fc/

Fotografia: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR