• e premte, 05 dhjetor 2025

Politiko: BE-ja ka pesë vjet kohë për t'u përgatitur për luftë

Politiko: BE-ja ka pesë vjet kohë për t'u përgatitur për luftë

Bruksel, 16 tetor 2025 (MIA) - Vendet e Bashkimit Evropian (BE) kanë pesë vjet kohë për t'u përgatitur për luftë, theksohet në planin ushtarak që Komisioni Evropian duhet ta paraqesë sot, dhe në të cilin portali Politiko kishte qasje.

"Deri në vitin 2030, Evropa ka nevojë për një sistem mbrojtës evropian mjaftueshëm të fortë për të penguar në mënyrë të besueshme kundërshtarët e saj dhe për t'iu përgjigjur çdo agresioni”, theksohet në draft-planin.

Planin duhej ta shqyrtonin ministrat e mbrojtjes vonë mbrëmë përpara që të prezantohet sot para Kolegjit të Komisionerëve.

Plani do t'u dërgohet udhëheqësve të BE-së javën e ardhshme.

Plani për gatishmëri për mbrojtje për vitin 2030 është një shenjë e rolit në rritje të BE-së në çështjet ushtarake, një reagim ndaj luftës së presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës dhe angazhimit të paqartë të presidentit amerikan Donald Tramp ndaj sigurisë evropiane, thekson portali i Brukselit. 

“Një Rusi e militarizuar përbën një kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë evropiane në të ardhmen e parashikueshme”, theksohet në dokumentin, të cilin për herë të parë e publikoi Blumberg. 

Edhe pse vendet e BE-së po i rrisin me shpejtësi buxhetet e tyre të mbrojtjes, pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve "mbetet kryesisht kombëtare, duke çuar në fragmentim, inflacion të shpenzimeve dhe mungesë ndërveprimi", theksohet në dokumentin 16-faqësh.

Pushteti ekzekutiv i BE-së po i inkurajon anëtarët të blejnë armë së bashku dhe dëshiron që të paktën 40 për qind e blerjeve të pajisjeve mbrojtëse të jenë kontrata të përbashkëta deri në fund të vitit 2027.

Plani për hartën e rrugës, gjithashtu, vendos objektiva që të paktën 55 për qind e blerjeve të armëve të jenë nga kompanitë e BE-së dhe Ukrainës deri në vitin 2028 dhe të paktën 60 për qind deri në vitin 2030. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR