• e hënë, 23 dhjetor 2024

Policia e Kosovës në filialet e Bankës postare serbe në veri të Kosovës ka sekuestruar 1.6 milionë euro dhe 74.7 milionë dinarë

Policia e Kosovës në filialet e Bankës postare serbe në veri të Kosovës ka sekuestruar 1.6 milionë euro dhe 74.7 milionë dinarë

Prishtinë, 21 maj 2024 (MIA) - Policia e Kosovës njoftoi se në aksionin e djeshëm në veri të vendit, ku u mbyllën gjashtë filiale të institucionit financiar "Banka postare kursimore" janë sekuestruar "rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinarë, rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikane, rreth 40 dollarë australiane", informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Lidhur me rastin, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla bëri të ditur se aksioni i djeshëm është kryer në “një institucion ilegal financiar të Serbisë në Republikën e Kosovës”.

"Me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit, policia e Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, në katër komunat në veri të Kosovës ka realizuar sot operacionin e kontrollit dhe mbylljes së gjashtë njësive të të ashtuquajturës Bankë postare të kursimeve...Sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi", ka shkruar mbrëmë Sveçla në profilin e tij në Fejsbuk.

Në kumtesën e mbrëmshme të policisë së Kosovës thuhet se në gjashtë filialet e Bankës kursimore, në veri të Mitrovicës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, përveç shumës së përmendur të parave është sekuestruar edhe “dokumentacioni dhe provat përkatëse lidhur me rastin”.

"Janë mbyllur gjashtë filiale të të ashtuquajturës "Banka postare kursimore" në veri të vendit, dhe në objektet e tyre janë vendosur tabela zyrtare për mbylljen e tyre, ndërsa të gjitha veprimet e mëtejshme policore do të kryhen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, njoftoi policia. qa/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR