• e hënë, 23 dhjetor 2024

Po merren në pyetje ekspertë me propozim të mbrojtjes për rastin "Softuerët"

Po merren në pyetje ekspertë me propozim të mbrojtjes për rastin
Shkup, 9 shkurt 2023 (MIA) - Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup po merren në pyetje ekspretët Milica Shutova, eksperte nga lëmia e pronësisë intelektuale dhe eksperti Risto Kotev nga lëmia e punës materiale, kontabiliste dhe financiare, me propozim të mbrojtjes në lidhje me rastin "Softuerët" në të cilin i akuzuar i parë është ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski.
 
Ekspertët po ju përgjigjen pyetjeve të parashtuara nga i akuzuari Rashkovski, ndërsa kanë të bëjnë me furnizimet publike për të cilat i akuzuari akuzohet për "keqpëdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar" dhe "pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga veprat penale".
 
Sipas ekspertit Risto Kotev, furnizimet ishin paraparë në planet vjetore për furnizim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2020, gjegjësisht 2019 dhe nuk ka informacion për ankesa. 
 
"Gjithçka që është punuar dhe publikuar është publikuar në bazë të ligjit, gjegjësisht publikimet janë në afatin e paraparë me ligj", tha ai.
 
Eksperti Kotev konfirmoi se mjetet për furnizimet janë evidentuar në mjetet themelore në Qeverinë e RMV-së. 
 
Në pyetjen se kush ka kryer kontroll të furnizimeve publike konkrete, ai u përgjigj se ai është Komisioni për Furnizime Publike i emëruar për furnizimin publik konkret.
 
I pyetur se a jep sekretari i përgjithshëm të drejtën një operatori ekonomik që të marrë pjesë në furnizim publik, ai u përgjigj se nuk është kompetent. 
 
“Mundet vetëm pasi ta paraqesë ekstraktin, pas përfundimit të procedurës, ta nënshkruajë kontratën ose ta anulojë procedurën  nëse ka arsye për këtë”, tha eksperti Kotev.
 
Ekspertja Milica Shutova në pyetjen se a mund të patentohet softueri në Republikën e Maqedonisë së Veriut është përgjigjur jo, ndërsa në pyetjen nëse i akuzuari Dragi Rashkovski ka të drejtë autori mbi softuerin është përgjigjur se nuk është ekspert për t'iu përgjigjur pyetjes.
 
Sipas aktakuzës, i pandehuri i parë nuk i ka kryer detyrat e tij zyrtare gjatë zbatimit të katër procedurave të furnizimit publik për sistemin e identifikimit biometrik, furnizimit publik të softuerit për përcaktimin e shpejtësisë mesatare të automjeteve në komunikacion dhe shqiptimit të gjobave, furnizimit të kamerave ANPR për njohjen e targave për automjete dhe furnizim publik i kabinave metalike për nevojat e sistemit të identifikimit biometrik dhe sistemit për njohjen automatike të targave.
 
Rashkovski akuzohet për veprat penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “pastrim i parave dhe kontribute të tjera nga vepra penale”, ndërsa personat I.D., I.H., D.S., I.I., I.I., dhe M.S. akuzohen për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”.
 
Rastin e udhëheq gjykatësja, Fanka Jançuleva Mihailovska, ndërsa akuzën e përfaqëson prokurorja Ivana Trajçeva. fc/
 

QËNDRONI TË LIDHUR