• e diel, 22 dhjetor 2024

Plenkoviq në Kuvend: Mos e humbni besimin dhe shpresën, bëni përpjekje plotësuese në zbatimin e reformave për BE-në

Plenkoviq në Kuvend: Mos e humbni besimin dhe shpresën, bëni përpjekje plotësuese në zbatimin e reformave për BE-në

Shkup, 5 prill 2023 (MIA) - Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, i cili gjendet për vizitë zyrtare në vend, në fjalimin e tij para deputetëve në Kuvend, vlerësoi se qëndrimi i tij në Shkup paraqet një hap të ri në thellimin e marrëdhënieve tona edhe ashtu të shkëlqyera dhe miqësore. Plenkoviqi ndau përvojën kroate të anëtarësimit në Bashkimin dhe përfitimet nga ai, por po ashtu inkurajoi deputetët dhe qytetarët që të vazhdojnë në atë rrugë, edhe pse në momente të caktuara duket se në të ka shumë pengesa.

“Jo vetëm që Kroacia dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë probleme të hapura, por marrëdhëniet tona janë çdo ditë e më të afërta, më përmbajtjesore dhe më të forta. Kjo është veçanërisht e vërtetë pasi Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s, me çka u bëmë aleatë", theksoi Plenkoviqi.

Kryeministri kroat theksoi se ka ardhur sot në Shkup për të përsëritur edhe një herë mbështetjen e qartë dhe të vendosur që Kroacia që nga fillimi ia ka dhënë rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Ai shprehu krenarinë që vendimi për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është miratuar gjatë presidencës kroate me Këshillin e BE-së, që ishte një nga prioritetet kryesore të Zagrebit.

Plenkoviqi thekson se Kroacia është edhe shteti anëtar më aktiv i BE-së kur bëhet fjalë për mbështetjen dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të vendit tonë për bisedimet e aderimit dhe anëtarësimit në Bashkimin. Ai shprehu kënaqësinë që ambasadori Vlladimir Drobnjak, i cili ishte kryenegociatori kroat me BE-në, ndihmon Qeverinë tonë. Plenkoviqi bëri të ditur se Kroacia këtë vit shënon 10 vjet nga anëtarësimi i saj në BE dhe me hyrjen në zonën e Shengenit dhe në Eurozonë, janë arritur dy synimet më të rëndësishme të politikës së jashtme, në mënyrë që vendi tani të jetë plotësisht i integruar në BE dhe kështu mbrohet më mirë nga krizat e tanishme dhe të ardhshme.

"Në rrethanat e tanishme, të bësh pjesë në rrethin e gjithsej 15 vendeve që janë njëkohësisht anëtare të NATO-s, BE-së, Shengenit dhe Eurozonës me siguri se është një përparësi e madhe, meqë kontribuon ndjeshëm në sigurinë tonë, si dhe stabilitetin politik dhe financiar", tha Plenkoviqi.

Kur bëhet fjalë për politikën e zgjerimit, ai theksoi se kryeministri i Kroacisë mund të shërbejë si shembull i fuqisë së transformimit që sjell me vete perspektiva e anëtarësimit në BE.

Plenkoviqi thekson rëndësinë e konsensusit politik të të gjitha partive parlamentare kroate gjatë bisedimeve të aderimit për anëtarësimin e Kroacisë në BE. Kjo, sipas tij, ka kontribuar dukshëm në përfundimin e bisedimeve përkundër rrethanave dukshëm të pafavorshme.

Roli i Parlamentit, i cili miratoi një numër të madh ligjesh për shkak të respektimit të rregullativës evropiane, ishte kyç për suksesin e procesit tonë të aderimit", tha Plenkoviqi.

Për këtë qëllim, në Parlamentin kroat është formuar trup i veçantë punues, Komisioni Kombëtar për ndjekjen e negociatave me BE-në, i kryesuar nga një përfaqësues i opozitës, ndërsa posti i nënkryetarit i takonte partisë në pushtet. Përveç kësaj, anëtarë kanë qenë edhe përfaqësues të bashkësisë akademike, të Sindikatës dhe punëdhënësve, me qëllim që të përfshihen sa më shumë përfaqësues dhe të cilët ishin gjithashtu të rëndësishëm në përgatitjen e qëndrime sa më të mira negociuese.

- Nga perspektiva e sotme, mund të them se një "Aleancë për Evropën" e tillë bashkoi të gjitha strukturat politike dhe shoqërore dhe parandaloi që të zhvillohen beteja dhe pengesa katastrofale të brendshme politike rreth procesit të bisedimeve me BE-në, të cilat përndryshe do të ngadalësonin rrugën tonë drejt anëtarësimi". tha Plenkoviqi.

Sipas tij, anëtarët e të gjitha pjesëve të shoqërisë kroate dhe publiku i gjerë mendojnë se procesi i anëtarësimit në BE është një ndërmarrje e përbashkët. Prandaj mesazhi kyç i kryeministrit kroat iu drejtua deputetëve dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

"Me shembuj të shumtë ju e keni vërtetuar mësa qartë përcaktimin tuaj për anëtarësim në BE, duke treguar vizion dhe guxim politik në momente politike jashtëzakonisht sfiduese për vendin tuaj. Jam i vetëdijshëm dhe i kuptoj plotësisht disa zhgënjime dhe pakënaqësi, duke marrë parasysh vitet e pritjes para derës së BE-së, por këtë herë dua t'ju inkurajoj që të mos humbni besimin dhe shpresën,

por të bëni më shumë përpjekje në zbatimin e reformave dhe kushteve si përgatitje për anëtarësimin e ardhshëm në Bashkimin. Sado e vështirë dhe e pasigurt t'ju duket tani, mundësitë politike dhe përcaktimi juaj i qartë për anëtarësim në Bashkimin, në BE, kërkon që të ndërmerrni një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin tuaj, për qytetarët e tij dhe brezat e ardhshëm", tha kryeministri kroat.

Kroacia, theksoi Plenkoviqi, me ndikimin, përvojën dhe njohuritë e saj do të vazhdojë ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut në rrugën e përcaktuar evropiane të saj.

"Kroacinë, me të cilën ndani një traditë të gjatë marrëdhëniesh të ndërsjella, do të vazhdoni të keni aleat të sinqertë dhe më besnik. Maqedonia e Veriut meriton të jetë pjesë e familjes evropiane", tha ai, duke përsëritur mbështetjen e vendosur që Kroacia i jep Maqedonisë së Veriut në rrugën evropiane.

Duke iu referuar luftës në Ukrainë para deputetëve, Plenkoviq tha se Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë këtë vend në planin politik, financiar dhe diplomatik, përmes ndihmës humanitare dhe ushtarake. Ai u shpreh i kënaqur që për të gjitha këto ka pajtueshmëri me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, e cila në këtë drejtim ka harmonizuar politikën e saj të jashtme me politikën e jashtme të BE-së, e cila është e një rëndësie të veçantë sepse, siç tha ai, Maqedonia e Veriut ka treguar se është vërtet i lidhur me vlerat e përbashkëta evropiane dhe se është në anën e mirëfilltë të historisë.

Sipas Plenkoviqit, sfidat dhe kërcënimet e shumta në këtë moment kërkojnë një rol më të fortë, më të angazhuar dhe më të qartë të BE-së në marrëdhëniet globale. Ai shtoi se agresioni rus kundër Ukrainës hodhi një dritë të re mbi perspektivat e vendeve të EJL-së dhe synimit të tyre për t'u bashkuar me BE-në, e në përputhje me këtë, është i nevojshëm një vizion i ri strategjik për të ardhmen e rajonit në mënyrë që të sigurojë jo vetëm stabilitetin e tij, por dhe demokratizimin dhe zhvillimin ekonomik.

"Anëtarësimi i ardhshëm i vendeve të Evropës Juglindore në BE është një interes i mirëfilltë politik, i sigurisë dhe ekonomik i Bashkimit", konkludoi Plenkoviqi.

Në seancën solemne morën pjesë edhe Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministra në Qeveri, përfaqësues të gjyqësorit, liderë të bashkësive fetare, ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik.

QËNDRONI TË LIDHUR